Plumbi i depërtoi afër shtyllës kurrizore – vajza e cila mbeti e plagosur në Bon Vivant së bashku me dy tjerë ende po trajtohen në QKUK
Në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, po vazhdon trajtimi i personave që u lënduan nga përleshja e armatosur në lokalin Bon Vivant në Prishtinë, që ndodhi të premten rreth orës 23:30.
Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica tha për Telegrafin se dy nga të lënduarit janë liruar, ndërsa po vazhdon trajtimi i tre të tjerëve.
Ai bëri të ditur se vajza e cila ka mbetur e plagosur në këtë rast, ka ende plumbin afër shtyllës kurrizore. Jashanica shtoi se të tre pacientët janë jasht rrezikut për jetë.
“Gjendja është e mirë, kemi pasur pesë pacientë, katër meshkuj dhe një vajzë. Dy nga të lënduarit janë liruar, njëri ka pasur plumbin dhe i është larguar, ndërsa tjetri ka pasur dorën e thyer. Kurse vajza e cila është duke u trajtuar ka plumbin afër shtyllës kurrizore, nuk janë në rrezik për jetë”, tha ai për Telegrafin.
Kastriot Ramadani pësoi lëndime vdekjeprurëse si pasojë e të shtënave me armë zjarri në lokalin “Bon Vivant”, pas një përleshjeje mes dy grupeve.
Të plagosur mbetën edhe gjashtë të tjerë, ndërsa 13 pësuan lëndime trupore nga gërvishtjet e xhamave apo gjësendet tjera.
Lidhur me rastin, Policia ka njoftuar se është në kërkim edhe të një personi i cili aktualisht ndodhet në arrati.
Për ngjarjen tragjike që ndodhi ditën e shtunë ka pasur reagime të shumta, ku edhe u kërkua krijimi i Policisë së Kryeqytetit.