Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, vizitën e tij në Azinë Qendrore e filloi me takimin me Kryetaren e Senatit të Uzbekistanit, Tanzila Narbaeva.
Në fokus të takimit Osmani-Narbaeva ishte roli i Senatit në përpjekjet për forcimin e rolit të grave dhe rritjen e sigurisë së tyre, që është edhe një nga prioritetet kryesore të kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.
“Në këtë drejtim, Zyra e Koordinatorit të Projektit të OSBE-së në Uzbekistan, së bashku me Sekretariatin, bashkëpunon me të gjitha institucionet qeveritare për zbatimin e Strategjisë Nacionale për arritjen e barazisë gjinore deri në vitin 2030. Është për t’u përshëndetur edhe miratimi i Planit Nacional të Veprimit për Gra, Paqe dhe Siguri”, tha Osmani në takimin me Narbaevën.