Lionel Messi thotë se nuk po mendon më shumë për çmime individuale, siç kishte bërë në të kaluarën.
Pasi e fitoi Kupën e Botës, jeta e yllit argjentinas ka ndryshuar pasi ai e kompletoi karrierën e lavdishme dhe për këtë arsye vendosi të zhvendosej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ta pasur një jetë më të qetë dhe që ta ketë fundin e karrierës pas stres dhe me plot relaks.
36 vjeçari u paraqit sonte në konferencë për shtyp para ndeshjes finale të Kupës së Ligës kundër Nashville, ndërsa foli edhe për Topin e Artë.
Shtatë herë fituesi i këtij trofeu është njëri prej favoritëve për të triumfuar sërish, që do të thotë se ai mund ta fitojë këtë çmim prestigjioz për herë të tetë në karrierë.
“Çmimet kolektive kanë qenë gjithmonë të rëndësishme për mua. Kam qenë me fat që kam arritur gjithçka në karrierën time dhe mund ta imagjinoni që pasi e fitova Kupën e Botës, që ishte ajo që më mungonte, aq më pak jam duke menduar për atë çmim (Topin e Artë). Nëse e fitoj, do të jetë diçka e madhe, nëse jo, do të jetë në rregull përsëri”, deklaroi kampioni i botës me Argjentinën.
Pikërisht suksesi në “Katar 2022” mund t’ia sjellë Messit Topin e Artë në fund të këtij viti.
Ai i ka realizuar 9 gola në 6 ndeshje me Inter Miamin prej se është transferuar në Amerikë, ndërsa e dërgoi këtë ekip në finale të Kupës së Ligës.
Ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Paris Saint-Germainit është i vendosur për t’ia sjell këtij ekipi trofeun e parë në histori të tij.
“Do të ishte e jashtëzakonshme për mua, për njerëzit që e mbështesin klubin, për vetë klubin, i cili është duke u munduar të rritet dhe të krijoj raste të mëdha, të jetë një klub i madh. Fitimi i këtij titulli do ta ndihmonte klubin shumë. Do të ishte diçka impresionuese. Ka qenë e bukur se si njerëzit e Miamit vinin për të na mbështetur. Ky është një klub i ri dhe ta marrim titullin e parë do të ishte diçka e bukur për shumë prej nesh”, vazhdoi Messi, i cili thotë se po e shijon në maksimum eksperiencën në Inter Miami, por edhe jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan “Gazeta Express”.
“Unë e njihja këtë qytet, e dija mirë se si janë njerëzit këtu. Menjëherë jam dashuruar në këtë vend. Këtu e kam mundësinë të jem më afër qytetit dhe njerëzve këtu. Jam i lumtur, po e shijoj këtë epokë të re të jetës sime, eksperiencën e të jetuarit në SHBA, të cilën gjithmonë e kam pasur në mendje ta bëja”, përfundoi Messi.