Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Çairi, tha se dy javë më parë ishte përvjetori i pesë i vdekjes së Adem Demaçit ndërsa sot po përurohet rruga Adem Demaçi në komunën e Çairit.
Emërtimi i një rruge në Maqedoninë e Veriut e ka një rëndësi të veçantë, tha Kurti.
Kurti tha se Demaçi me aktivitetet e tij që i kushtuan 28 vite burg u bë simbol i paepur për lirinë e shqiptarëve në Jugosllavi.
Fjala e plotë e Kurtit për Demaçin në Shkup.
Të nderuar qytetarë, motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj nga Çairi dhe gjithë Shkupi,
Rreth dy javë më parë, më 26 korrik, e kishim përvjetorin e 5-të të vdekjes së Adem Demaçit, kurse sot më 11 gusht, po e përurojmë një rrugë me emrin e tij, rruga “Adem Demaçi”, në Komunën e Çairit. Në Kosovë ka disa rrugë që e mbajnë emrin “Adem Demaçi”, por emërtimi i një rruge me emrin Adem Demaçit këtu në Komunën e Çairit në Maqedoninë e Veriut, e ka një rëndësi të veçantë.
Kjo, sepse emërtimi i një rruge nuk është thjesht evidentim i një hapësire të lëvizjes, por edhe shenjim i një kohe me një emër. Atëherë, cila është kjo kohë dhe cili është ky emër, që nga sot e tutje do ta shënjojë këtë rrugë? Është koha kur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, shqiptarët në ish-Jugosllavi ishin komuniteti etnik më i shtypur dhe më i diskriminuar në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Atë periudhë, shqiptarët si në Kosovë, ashtu edhe këtu në Maqedoni të veriut, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës, e jetuan regjimin diktatorial të Jugosllavisë njësoj: mes përndjekjesh politike dhe burgjesh, shpërnguljeve e emigrimeve, mes dëbimeve nga puna e mbylljeve të shkollave, nënpërfaqësimit politik dhe pabarazive sociale, me liri të cunguara kombëtare e qytetare dhe të drejta të shkelura të njeriut. Dhe meqë është koha që i prodhon njerëzit, ajo kohë e shtypjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi, mes shqiptarëve, e prodhoi një njeri simbol të lirisë: Bacin Adem Demaçi.
Gazetari dhe intelektuali, shkrimtari dhe veprimtari, Adem Demaçi, me shkrimet dhe me aktivitetin e tij, publik dhe të fshehtë, që i kushtuan plot 28 vite të kaluara nëpër burgje, u bë simbol i rezistencës së paepur ndaj shtypjes e shfrytëzimit dhe i përpjekjes së pandalshme për liri të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Andaj emri “Adem Demaçi”, përtej emër personi ishte edhe emër figure, ishte parullë më vete, teksa brohoritej “Rroftë Adem Demaçi”, në demonstratat e vitit 1968, të vitit 1981 dhe në demonstratat e vitit 1989.
Të nderuar pjesëmarrës,
Nëse do të ishim në Shkup plot 60 vite më parë, do t’i shihnim banorët e Shkupit duke u munduar të pastrojnë rrënojat dhe të sanojnë dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 korrikut të vitit 1963. E asokohe, më 22 gusht 1963, Shkupin e goditur nga tërmeti kishin ardhur ta vizitonin së bashku dy liderë diktatorë: Josip Broz – Tito i ish-Jugosllavisë dhe Nikita Krushqev i ish-Bashkimit Sovjetik. Në kuadër të përgatitjeve për vizitën e tyre, me frikën se ajo do të mund të prishej, autoritetet jugosllave të kohës, aparati shtetëror represiv i së cilës udhëhiqej nga Aleksandar Rankoviq-i, ishin kujdesur që paraprakisht ta burgosnin Adem Demaçin. Shtypësit dhe mohuesit e lirisë, nuk mund të parakalonin lirshëm në një vend ku liria kishte për sinonim edhe një emër të përveçëm njeriu, emrin e Adem Demaçit. 60 vite më pas, në Maqedoni ka ende rrugë dhe shkolla me emrin “Josip Broz – Tito”, andaj emërtimi i një rruge me emrin “Adem Demaçi” është edhe një akt këmbënguljeje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri.
Nga përvoja ime e bashkëpunimit me bacën Adem e di që figura më e dashur kombëtare dhe politike e shekullit XX për të ishte Hasan Prishtina. Sot, teksa kujtojmë Adem Demaçin dhe shënojmë me emrin e tij rrugën, natyrshëm kujtojmë Hasan Prishtinën, i cili nesër, por 111 vite më parë, erdhi dhe çliroi Shkupin bashkë me Bajram Currin e Isa Boletinin, kurse pasnesër, por 90 vjet më parë, u vra mizorisht në Selanik.
Zonja e zotërinj,
Motra e vëllezër,
Sa herë që një rrugë, një shesh a një shkollë emërtohet me emrin e një personi që ka ndërruar jetë, natyrshëm të vjen të pyesësh se çfarë do të mendonte për këtë ai person po të ishte gjallë. Kjo është gati e pamundur ta dish, por ajo çfarë mund të thuhet me bindje, është se duke e emërtuar këtë rrugë këtu në Çair, në Shkup, me emrin “Adem Demaçi”, po shënjohet një triumf i lirisë në kuptimet e saj më të kulluara politike, historike dhe njerëzore!
Ju faleminderit.