Nikica Korubin
Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës, është për një kohë të gjatë një figurë e spikatur politike e rajonale. Ai ishte edhe mysafiri ynë para disa muajsh, nën kujdesin e BE-së, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen me Serbinë. Nëpër mediat kosovare, rajonale dhe udhëheqëse botërore ai rregullisht shpreh mendimin e tij për tema thelbësore dhe strategjike, të cilat na shqetësojnë drejtpërdrejt. Ndërsa prania e tij mediatike, analitike dhe politike tek ne mungon krejtësisht. Pothuajse në nivelin e bojkotit.
Deri dje. Që kur është bërë tema kryesore e të njëjtave media të heshtura, dhe qarqeve injorante politike. Mund ta merrni me mend, në një kontekst negativ. Shpirtrat u trazuan. Një vizitë njëditore, “i çoi peshë të gjithë”. U aktivizua alarmi “mbrojtja e identitetit”. Flamuri u bë shkas, por cila është arsyeja e vërtetë?
Dhe kështu, në ortekun e mbrojtjes të emrit të një rruge të Shkupit dhe duke sulmuar një flamur provokues, të udhëhequr nga figurat më të larta politike, në harmoni me opozitën maqedonase; ata disi “harruan” të komentojnë mesazhin kryesor politik për ne, i cili perifrazohet kështu: BE-ja është rruga jonë e përbashkët dhe në atë rrugë Maqedonia e Veriut duhet të jetë me Kosovën, Shqipërinë dhe Bullgarinë, jo me Serbinë, qeveria dhe sjellja e së cilës është pak a shumë e njëjta që nga koha e nismëtarëve dhe zbatuesve të luftërave në ish-Jugosllavi në vitet e nëntëdhjetë.
A thua është kjo shkëndija fillestare që shkaktoi gjithë këtë “shqetësim dhe kanosje” të madhe nga sjellja e 1 (një) pjesëmarrësi në tubimet masive ku u prit Kurti në Shkup dhe Tetovë, si dhe nga sjellja e disa figurave politike të opozitës shqiptare, të cilët natyrisht se u përpoqën të përfitojnë nga popullariteti i Albin Kurtit dhe nga besimi që ai gëzon te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Besim, i cili, meqë ra fjala, duhet më shumë t’i shqetësojë sesa t’i gëzojë.
Dhe ajo që duhet të na shqetësojë të gjithëve, si qytetarë, është pyetja se kujt i pengon Maqedonia e Veriut në BE, në të cilën Kosova, si fqinja dhe mikja jonë e parë, mund të na jetë vetëm partner. Pse atëherë askush nuk i përgjigjet paralajmërimit dhe thirrjes së Albin Kurtit? Dhe si u bëka që dikush që është mbështetës i flaktë i shtetit ligjor dhe i vendosjes së një sistemi standardesh dhe rregullash sipas BE-së, të mos konsiderohet shembull për t’u lavdëruar, por të bëhet objekt thuajse për t’u linçuar?
Ku gaboi dje Albin Kurti, që në këto pushime verore i bëri të gjithë të “aktivizohen”, kur edhe u iku rasti të bënin nikoqirin e mirë, për ta pritur të ftuarin në një takim formal apo joformal? Kë “goditi” ai kaq shumë me praninë, deklaratat dhe paraqitjen e tij? Dhe a gjendet ai të cilin e shqetëson Albin Kurtin vërtet në Maqedoninë e Veriut? Kjo, pra, ngre pyetjen se “kush mbron kë” nga çfarë dhe pse?
Dhe kështu në pritje të ndryshimeve kushtetuese, të gjithë po “zbulohen” dalëngadalë, duke kërkuar pretekst në çdo gjë: nga futbolli te kryeministri, nga protestat te festimet, duhet ditur “rendi”, kush është “miku” dhe kush “krye-armiku”, kush është i miri e kush i keqi. Të përsërisim mësimin: “Shqiptarët janë irredentistë”, “bullgarët janë fashistë”, kurse Kurti është njeriu që nxori në pah fundamentalizmin dhe imperializmin serb. Kurse këtë nuk mund t’ia falë asnjë “patriot”. Siç edhe nuk ia fal.
Por a ka mbetur kush të kujdeset për interesat e Maqedonisë së Veriut, pasi të kemi mbaruar me hallet e fqinjit? Megjithatë, ky është vendi juaj, sado e vështirë të jetë kjo për ju. Ai ju mundëson pozitën që keni tani, e cila duhet përdorur më mirë sesa strategjia tashmë transparente, për të antagonizuar maqedonasit. Dhe ata, ashtu si shqiptarët dhe të gjithë të tjerët, i intereson vetëm normaliteti, sistemi dhe drejtësia. Nuk kanë faj ata që kjo u erdhi në formën e Albin Kurtit. A është kjo ajo që na shqetëson dhe frikëson, normaliteti dhe qartësia? Çfarë është interesi ynë dhe çfarë jo?