Holanda sekuestron sasi rekord kokaine me vlerë 600 milionë euro

Autoritetet doganore në Roterdam kanë konfiskuar më shumë se 8,000 kilogramë kokainë. “Ky është sekuestrimi më i madh i drogës në Holandë,”- thanë prokurorët të enjten.

“Droga kishte një vlerë, sipas çmimeve në rrugë, prej 600 milionë euro”,- tha në një deklaratë për shtyp Shërbimi i Prokurorisë Publike të Roterdamit.

Asnjë arrestim nuk është bërë deri tani ndërsa hetimet, që po mbahen sekret, vazhdojnë pas zbulimit të sasisë së madhe të kokainës. Prokurorët thanë se droga, e cila u shkatërrua, ishte fshehur në një tanker me banane që vinte nga Ekuadori.

Njoftimi erdhi një ditë pasi një kandidat presidencial i njohur për deklaratat e tij kundër karteleve të drogës dhe korrupsionit në kombin e Amerikës së Jugut, u qëllua për vdekje në një tubim politik.

Tregtia e drogës që po lulëzon në Evropë, po nxit dhunën dhe korrupsionin në kontinent, tha agjencia e Bashkimit Evropian që monitoron drogën dhe varësinë në raportin e saj vjetor në qershor.

Në raport thuhet se sasi rekord kokaine po kapen në Evropë, ku 303 tonë janë konfiskuar në vendet anëtare të BE-së në vitin 2021. Roterdami dhe porti belg i Antwerp janë tani portat kryesore për hyrjen e kokainës së Amerikës Latine në kontinent.

Zgjerimi i tregut të kokainës është shoqëruar me një rritje të dhunës dhe korrupsionit në BE, me konkurrencë të ashpër midis trafikantëve, gjë që ka çuar në rritjen e numrit të vrasjeve dhe të kërcënimeve.

Midis viktimave në Holandë vitet e fundit ishte një avokat që përfaqësonte një dëshmitar në gjyqin e një gangsteri të dyshuar për drogë dhe reporterit të krimit, Peter R. de Vries, i cili ishte një i besuar i dëshmitarit.

Kërcënimet e paspecifikuara për trashëgimtaren e fronit holandez, Princeshën Amalia, e detyruan vitin e kaluar atë të braktiste strehimin studentor në Amsterdam dhe të vazhdonte studimet nga shtëpia.

Në Ekuador, trafikantët e drogës kanë filluar të përdorin portet bregdetare të vendit, si dhe kanë shpërthyer një valë të egër dhune që nuk është parë atje në dekada, ndërsa bandat rivale luftojnë për kontrollin e drogës.

Muajin e kaluar, kryetari i bashkisë së qytetit port të Mantës u qëllua dhe u vra. Më 26 korrik, presidenti Guillermo Lasso shpalli një gjendje të jashtëzakonshme duke mbuluar dy provinca dhe sistemin e burgjeve të vendit në një përpjekje për të frenuar dhunën.