Numërimi mbrapsht ka nisur, ndërsa brenda kësaj jave kombëtarja e Italisë do të njohë trajnerin pas dorëheqjes surprizë të Roberto Mançinit.
Vendimi i tij, i kapi të gjithë në befasi, ndërsa që nga ajo ditë emërimi i pasardhësit është kthyer në një çështje kombëtare të rrethuar me shumë polemika.
Kjo lidhet me emrin e Luçiano Spaletit, të përzgjedhurin e Federatës Italiane të Futbollit. Por firma me ish-trajnerin e Napolit, kampion të Serisë A në sezonin e fundit është e vështirë.
Ai është ende nën kontratë me klubin napolitan, që kërkon rreth 3 milion euro për të aktivizuar klauzolën e lirimit.
Avokatët kanë nisur punën për të zgjidhur këtë çështje, ndërsa gjithçka do të vendoset brenda fundjavës.
Luçiano Spaleti është zgjedhja e parë, por në federatën italiane kanë edhe një plan B.
Bëhet fjalë për Antonio Konten, edhe ky pa skuadër që pas largimit nga Totenhem.
Për ish-trajnerin e Juventus, Chelsea dhe Interit do të ishte një rikthim, pasi ai e ka drejtuar edhe më parë kombëtaren e Italisë nga viti 2014 deri në vitin 2016. Në Europianin e këtij viti, nën drejtimin e Konte, skuadra e kaltër arriti deri në çerekfinale ku u eliminua nga Gjermania pas goditjeve të penalltive.