ELABORATI FAMËKEQ I IVO ANDRIQIT për ndarjen e Shqipërisë midis Italisë dhe Jugosllavisë, i vitit 1939

ELABORATI FAMËKEQ I IVO ANDRIQIT
për ndarjen e Shqipërisë midis Italisë dhe Jugosllavisë, i vitit 1939
* * *
“Marrja e Shkodrës do të kishte një rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte zbatimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ta ushqyer Malin e Zi. Shqipëria veriore në kuadër të Jugosllavisë do t’i mundësonte Serbisë veriore dhe jugore lidhje të reja qarkullimi me Adriatikun. Me ndarjen e Shqipërisë do të eliminohej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Eventualisht, neve do të na shtoheshin edhe 2 – 300.000 shqiptarë, por shumica e tyre janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve shqiptarët myslimanë kurrë s’ka qenë e mirë. Edhe çështja e shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë për në Turqi do të kryhej në rrethana të reja, për arsye se nuk do të kishte kurrfarë aksioni të fortë për parandalimin e saj.” – pjesë nga elaborati i Andriqit
* * *
Shqiptarët në Kosovë kërkuan që veprat e Andriqit të shlyhen nga programi i mësimit të letërsisë. Elaborati antishqiptar i këtij nobelisti dhe ai i akademikut Vasa Çubrilloviq (1897-1990) kurrë s’janë publikuar në Serbi. Ato mbahen sekret. Janë turp i inteligjencies serbe dhe i politikës serbe. Asnjë akademik apo politikan serb nuk është distancuar prej tyre. Vlerësimi i këtij personi me çmimin “Nobel” e komprometon jurinë e këtij çmimi prestigjioz.
* * *
Andriqi, si nëpunës i lartë i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë, në vitet 1937-1939 ushtronte detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme. Millan Stojadinoviqi në të njëjtën kohë ishte edhe kryeministër edhe ministër i Punëve të Jashtme. Andriqi, si diplomat karriere, ishte personi i parë i Ministrisë. pas rënies së Stojadinoviqit nga pushteti, Andriqi u bë ambasador në Berlin.
Konti Galeako Qano (Galeazzo Ciano, 1903-1944), ministër i Punëve të Jashtme i Musolinit, e vizitoi Jugosllavinë në janar të viti 1939. Bisedimet midis Qanos dhe Stojadinoviqit u zhvilluan në Beograd dhe në Beli. Në Beli u zhvilluan bisedime sekrete. Dhëndri i Musolinit, Qano, ofroi ndarjen e Shqipërisë.
Me kërkesën e Stojadinoviqit, u hartua elaborat zyrtar për çështjen shqiptare për përdorim intern në Ministri. Në faqen e parë të elaboratit shkruan: “Referat i z. Andriqit 30.I.1939”. Ky dokument ruhet në Arkivin e Serbisë – “Fondi i Millan Stojadinoviqit”, kutia 37. Teksti i këtij elaborati zyrtar për herë të parë u botua në “Revistë për historinë bashkëkohore”, në vitin 1977, IX, Nr. 2 (24), f. 77-89. Kryeredaktor i këtij botimi ka qenë historiani kroat Dr. Bogdan Krizman (1913-1994). Dokumenti është botuar me titullin “Elaborati i Dr. Ivo Andriqit për Shqipërinë i vitit 1939”.
Shkrimi i Andriqit u botua për së dyti në vitin 1988, në “Sveske”, Zadužbina Ive Andrića (Vepër bamirëse e Ivo Andriqit) Nr. 5.
Dokumenti merret me kronologjinë e rrethanave dhe të marrëdhënieve historike dhe ka 20.734 shenja shkronjash. Përmban 12 faqe të shtypura me makinë shkrimi. Teksti është shtypur me shkronja cirilike. Me faqen e parë që ndodhet në fillim të tekstit dhe ku është dhënë pasqyra e përmbajtjes, elaborati ka 13 faqe. Është i ndarë në dhjetë kapituj.
Shënim: Për Shqipërinë, Andriqi e përdor fjalën Arbanija, për shqiptarët ndërkaq – Arbanasi.
* * *
Më 18.06.1938 u mbajt në Venecie një mbledhje midis kryeministrit të Mbretërisë së Jugosllavisë, Millan Stojadinoviq dhe ministrit italian të Punëve të Jashtme Kontit Galeako Qano (Galeazzo Ciano). Në janar të viti 1939, Qano erdhi në Beograd. Me Stojadinoviqin zhvilluan bisedime sekrete. Vëmendje më të madhe në bisedime i kushtuan Shqipërisë. Me këtë rast, Stojadinoviqi i paraqiti Qanos dy zgjidhje të mundshme:
1. Që mbretin Zog ta zëvendësojnë me ndonjë person “më të denjë” në fronin shqiptar;
2. Që Shqipëria të ndahet midis Italisë dhe Jugosllavisë.
Mirëpo, derisa Stojadinoviqi fliste për ndarjen e Shqipërisë, Qano fliste për korrigjimin e kufirit ndaj Jugosllavisë.
Pasi Konti Qano u kthye në Itali, Stojadinoviqi kërkoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë, që t’i hartohen elaborate përkatëse për Shqipërinë dhe për çështjen e ndarjes së territorit shqiptar. Janë ruajtur dy elaborate interne
– elaboratи i punuar nga zyrtari i lartë i Ministrisë, Ivan Vukotiq, i datës 03.02.1939;
– elaborati i Ivo Andriqit, i datës 30.01.1939.
* * *
ELABORATI I ANDRIQIT
I. LUFTA BALLKANIKE DHE SHQIPËRIA
Dalja e ushtrisë serbe në Adriatik – Sipas shtojcës sekrete të Marrëveshjes së aleancës midis Bullgarisë dhe Serbisë të datës 29 shkurt 1912, Serbisë i njihej e drejta për territoret turke të deriatëhershme në veri dhe në perëndim të malit Sharr. Lidhur me këtë dispozitë dhe duke synuar që vendit të tyre t’i sigurojnë dalje në det, më 15 nëntor 1912 trupat serbe arritën në Lezhë dhe hap pas hapi e zotëruan tërë Shqipërinë veriore, deri në Tiranë dhe Durrës. Më 15 nëntor 1912, në “Tajms” (The Times) të Londrës u publikua deklarata e Pashiqit ku ai thotë se Serbia e kërkon Durrësin me hinterland të konsiderueshëm. Revistë për historinë bashkëkohor të rëndësisë. Supozohej se Shqipëria nuk do të konsolidohet për shumë vite dhe se ne do të mundim ta forcojmë pozitën tonë në Shqipëri, Italinë ndërkaq, ta nxjerrin nga loja. Asnjëra nga këto parashikime mbi të cilat mbështetej politika jonë e pavarësisë së Shqipërisë, nuk u realizua. Përkundrazi, ndodhi krejt e kundërta. Shqipëria po konsolidohet dhe për arnautët tonë po bëhet qendër e irredentës. Italia ka shkelur në Ballkan dhe e mban jo vetëm Sazanin dhe nëpërmjet tij edhe kanalin e Otrantos, por e kontrollon tërë administratën në Shqipëri, civile dhe ushtarake. Ky është një fakt që nuk mund të shpërfillet dhe që nuk mund të kontestohet. Bazuar në sa më sipër është më se e qartë se interesi ynë është që Italia, në vend të krejt Shqipërisë, ta mbajë vetëm një pjesë të saj. Po të mos kishte arsye të tjera për ndarjen e Shqipërisë, do të mjaftonte vetëm kjo.
“2) Me vetë pozitën e saj, Shqipëria – sipas Vukotiqit – paraqet pengesë për zhvillimin ekonomik të shtetit jugosllav, ndërsa me ndarjen e Shqipërisë, kufiri ynë tokësor do të zvogëlohej për rreth 300 km.
3) Shteti dhe monarkia shqiptare janë qendër tërheqëse për një numër të konsiderueshëm shqiptarësh që jetojnë te ne përgjatë vetë kufirit. Me zotërimin dhe bashkëngjitjen e Shqipërisë veriore do të vritej irredenta shqiptare, e rrezikshme për viset tona jugore. Elementi luftarak shqiptar në territorin tonë do të mbetej në lindje dhe në perëndim dhe do të asimilohej më lehtë.
4) Kurdo që flitej për ndarjen e Shqipërisë, kërkesat tona maksimale arrinin deri në luginën e lumit Shkumbin. Gjithsesi, vija Strugë-Librazhd-Elbasan-Durrës do t’i kënaqte plotësisht kërkesat tona. Në atë territor jetojnë rreth 400.000 myslimanë. “Ndarja e Shqipërisë dhe bashkëngjitja e viseve të saj verore dhe qendrore Mbretërisë sonë, do të kishte qenë sukses yni kombëtar i madh dhe realizim i aspiratave tona të natyrshme. Në atë pjesë të kufirit, do të përmirësohej pozita jonë strategjike. Do të arriheshin përfitime ekonomike të paçmueshme dhe me lidhje natyrore do të lidheshin dy rajone të rëndësishme, i Zetës dhe i Vardarit. Irredenta shqiptare dhe shteti shqiptar do të ishin likuiduar, që ishte sajuar dhe ishte krijuar prej armiqve tanë”.
Prandaj Vukotiqi vjen në përfundim se duhet shfrytëzuar situatën e volitshme dhe me ndarjen e Shqipërisë të kryhej një vepër e madhe popullore.

II. NDARJA E SFERAVE TË INTERESIT NË SHQIPËRI MIDIS SERBISË DHE GREQISË
Edhe pse nën trysninë e Fuqive të Mëdha, në radhë të parë Austrisë, u detyrua të tërhiqej nga Adriatiku dhe nga Shqipëria veriore, Serbia nuk e humb shpresën. Në deklaratën që është shtojcë sekrete e Marrëveshjes për aleancën midis Greqisë dhe Serbisë të datës 19 maj 1913, u ndanë sferat e interesit midis Greqisë dhe Serbisë në Shqipërinë autonome të sapoformuar. Territori që ndodhet në veri të grykës së lumit Seman në det, pastaj në rrjedhën e këtij lumi deri në grykën e Devollit, më pas në rrjedhën e Devollit deri në malin Kamne – i takojnë sferës së serbe të ndikimit. Pjesa jugore e Shqipërisë, deri te kjo vijë, i takonte sferës greke të ndikimit. Në rast trazirash në Shqipëri, të dy vendet do të merreshin vesh për zotërimet e veta. Këto janë kërkesat maksimale që i kemi paraqitur në një dokument të shkruar ndaj Shqipërisë.

III. PAKTI I LONDRËS DHE SHQIPËRIA
Pakti i Londrës i lidhur më 26 prill 1915 midis Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Italisë lidhur me Shqipërinë i kishte dispozitat, si vijojnë:
1) Në vërejtjen për nenin 5, thuhet: “Katër Fuqitë aleate, tokat e poshtëshënuara të Adriatikut do t’ua ndajnë Kroacisë, Serbisë dhe Malit të Zi: […] Në Adriatikun e poshtëm (në rajonet që u intereson Serbisë dhe Malit të Zi) tërë bregdetin prej kepit Planka deri te lumi Drim me portet e rëndësishme Split, Dubrovnik, Kotor, Tivar, Ulqin.
2) Në nenin 6 thuhet: “Italia do ta marrë në pronësi të plotë Vlorën dhe ishullin e Sazanit. Përveç kësaj edhe një territor mjaft të gjerë që nevojitet për mbrojtjen e tyre, d.m.th. pjesën ndërmjet lumit Vjosa në veri dhe në lindje, kurse në jug deri në Himarë”.
3) Në nenin 7 thuhet: “Po qe se do të formohet një shtet i vogël autonom dhe neutral i Shqipërisë, Italia nuk do t’i kundërvihet dëshirës së Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Rusisë, që viset veriore dhe jugore të Shqipërisë të ndahen midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”.
Krijimi i Shqipërisë autonome – Mirëpo, më 20 dhjetor 1912, Konferenca e Ambasadorëve në Londër mori vendim për krijimin e Shqipërisë autonome, duke i dhënë Serbisë vetëm të drejtë për dalje tregtare në detin Adriatik. Po kjo konferencë, më 20 mars 1913 vendos që Shkodra t’i jepet Shqipërisë. Mali i Zi refuzoi ta pranojë vendimin e Fuqive të Mëdha; në këtë mes e mbështet Serbia e cila i dërgon trupat e veta për ta përforcuar rrethimin e Shkodrës. Fuqitë e mëdha (më 21 mars 1913) vendosën të kryejnë demonstrim detar. Në këtë demonstrim nuk mori pjesë vetëm Rusia. Kryqëzorët austro-hungarezë, anglezë, francezë, gjermanë dhe italianë, të grumbulluar afër Tivarit, i detyruan trupat serbe të tërhiqen nga pozicionet në Shkodër.
Bllokada e bregdetit malazez – Më 20 prill 1913, Fuqitë e Mëdha shpallën bllokadën e brigjeve detare malazeze, por qeveria e Malit të Zi e vazhdon rrethimin e Shkodrës që kapitullon më 20 prill 1913. Megjithëkëtë, Mbreti Nikkollë u detyrua të lëshojë pe dhe më 4 maj 1913, në një telegram dërguar ser Eduard Greit (sir Edward Grey, 1862-1933) e dorëzoi fatin e Shkodrës në duart e Fuqive të Mëdha. Pushtimi ndërkombëtar i Shkodrës zgjati prej datës 5 maj 1913 deri në fillim të luftës botërore.

IV. SHQIPËRIA NË KONFERENCËN E PAQES
Pikëpamja e Fuqive të Mëdha – Në Konferencën e Paqes, fuqitë aleate (Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) për veriun dhe lindjen e Shqipërisë i propozuan kufijtë që ishin përcaktuar në Konferencën e Londrës të vitit 1913; e njohin sovranitetin e plotë të Italisë ndaj Vlorës dhe prapavijës së nevojshme dhe i japin Italisë mandat për administrimin e shtetit të lirë shqiptar, nën kontrollin e Lidhjes së Kombeve (Memorandum i datës 9 dhjetor 1919).
Pikëpamja jonë – (Kundër mandatit të Italisë. Për Shqipëri të pavarur. Argumentet për korrigjimin e kufirit dhe për marrjen e Shkodrës dhe të Shqipërisë veriore)
Në përgjigjen tonë të datës 8 janar 1920 ne i kemi hedhur poshtë propozimet për t’i dhënë Italisë mandat ndaj Shqipërisë, duke theksuar se kjo do të ishte përsëritje e rastit të Bosnjës dhe Hercegovinë. “Kjo zgjidhje, thuhet në përgjigjen tonë, do të krijonte në dobi të Italisë kufi ofensiv kundër shtetit tonë, i cili do të privohej nga mjetet për mbrojtje. Në një anë, kjo do të paraqiste epërsi ofensive, kurse në anën tjetër, nënshtrim strategjik të përkryer”. Ne kemi kërkuar, për shkaqe ekonomike dhe strategjike, të kryhet për ne korrigjim kufiri (në rrjedhën e mesme të Drinit, në Bunë dhe përkitazi me fisin Kliment dhe Kastrat) që e ka caktuar Konferenca e Londrës e viti 1913. Përpos këtij korrigjimi, Delegacioni ynë ka deklaruar se zgjidhje më e mirë është sikur Shqipëria të bëhet shtet i pavarur në kufijtë e vitit 1913 dhe me administratë autonome.
2) Në nenin 6 thuhet: “Italia do ta marrë në pronësi të plotë Vlorën, ishullin e Sazanit
dhe përpos kësaj edhe një territor mjaft të gjerë që nevojitet për mbrojtjen e tyre, d.m.th. pjesën ndërmjet Vjosës në veri dhe në lindje, ndërsa në jug deri në Himarë”.
3) Në nenin 7 thuhet: “Po qe se ndodh formimi i një shteti të vogël autonom dhe neutral, Shqipërisë, Italia nuk do t’i kundërvihet dëshirës së Francës, të Britanisë së Madhe dhe të Rusisë që viset veriore dhe jugore të Shqipërisë të ndahen ndërmjet Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë”. Italia do të fitojë të drejtën të udhëheqë punët e jashtme të Shqipërisë.
Pra, qysh në vitin 1915, Fuqitë e Mëdha miratojnë parimin e ndarjes së Shqipërisë dhe e pranojnë se në Shqipëri i kanë interesat e vet Italia, Serbia dhe Greqia. Derisa këtyre dy vendeve ballkanike u jepet e drejta e korrigjimit të kufirit, Italisë i jepet Vlora si dhe protektorati ndaj Shqipërisë së cunguar. Po qe se kjo zgjidhje nuk do të pranohet ose po qe se pjesa jugore e Shqipërisë do t’u takonte shteteve të tjera, Delegacioni ynë ka kërkuar për ne pjesën veriore të Shqipërisë deri në Drin. “Shteti ynë gëzon të drejta të vjetra për këto vise”, thuhet në memorandumin tonë. Shkodra është ish-kryeqendër e sundimtarëve serbë. Populli ynë ka derdhur përrenj gjaku për Shkodrën, sidomos në luftën e viti 1913 që i kushtoi Serbisë mijëra ushtarë të saj, ndërsa malit të Zi – një të tretën e ushtrisë së saj. Për t’i plotësuar dëshirat e Fuqive të Mëdha, në vitin 1913 trupat serbe dhe malazeze u tërhoqën nga Shkodra dhe Shqipëria veriore. Austria, duke mobilizuar ushtrinë, u kanos me luftë. Shkodra ka mundur t’i takojë Malit të Zi, sikur ai të ishte pajtuar që Llovqenin t’ia lëshonte Austrisë ose të kishte mbetur neutral. Por, Mali i Zi refuzoi t’ia lëshonte Austrisë këtë pozicion strategjik të rëndësishëm. Lugina e Drinit me Shkodrën përbën një tërësi gjeografike dhe ekonomike me Malin e Zi dhe me rajonet kufitare të Serbisë. Për Serbinë qendrore dhe për Malin e Zi, lugina e Drinit është e vetmja rrugë e drejtpërdrejtë dhe më e shkurtër për në Adriatik. Vija hekurudhore Danub-Adriatik duhet të kalojë nëpër luginën e Drinit. Konferenca e Ambasadorëve në Londër e vitit 1913 ia njohu Serbisë këtë të drejtë të daljes në det. Shkodra ka të bëjë edhe me çështjen e lumit Bunë, që ia çel rrugën natyrore tregtisë malazeze në det. Qysh sipas Marrëveshjes së Berlinit, Mali i Zi gëzon të drejtën e lundrimit të lirë në Bunë. Pjesë më e madhe e liqenit të Shkodrës i takon Malit të Zi. Për shkak të pakujdesisë turke, tokat më të mira malazeze ende ndodhen të përmbytura nga ujërat e liqenit të Shkodrës. Për këtë arsye, shtetit tonë më së shumti i intereson rregullimi i Bunës dhe i Drinit jo vetëm për lundrimin në Bunë, por edhe për faktin se në këtë mënyrë do të thaheshin 12 deri 20.000 hektarë tokë më pjellore dhe po aq do të bonifikoheshin. Dy të tretat e kësaj toke i takon Malit të Zi.
Pikëpamja italiane – (sipas memorandumit të datës 10 janar 1920)
1) Italia kërkon nga Lidhja e Kombeve mandat për ta administruar shtetin e pavarur shqiptar.
2) Kufijtë shqiptarë në veri dhe në lindje do të jenë ata që janë përcaktuar në Konferencën në Londër. Kufiri jugor do të jetë objekt analize,
3) Qyteti i Vlorës do t’i jepet Italisë në sovranitet të plotë me prapavijën e nevojshme për mbrojtjen e tij dhe për zhvillim ekonomik. Aleatët pajtohen që Shkodra dhe Shqipëria veriore t’i bashkëngjiten Jugosllavisë. Duke propozua një zgjidhje të përgjithshme të çështjes së Adriatikut, Klemanso, në cilësinë e kryetarit të Konferencës së Paqes, lidhur me dhënien e Rijekës Italisë, më 13 janar 1920 i ka thotë Pashiqit dhe Trumbiqit: “Kur SKS-ja ta ketë Shkodrën, Drinin dhe Shën Gjon Medonanin, do të ngjitet në maje të fuqisë së vet”. Niti ishte pajtuar me këtë, me kusht që Italia ta mbante Vlorën por të kishte edhe mandat mbi Shqipërinë.

V. PUSHTIM ITALIAN I SHQIPËRISË PAS LUFTËS DHE TËRHEQJA PËRFUNDIMTARE PAS DËSHTIMIT NË VLORË
Pas mbarimit të luftës, në bazë të një vendimi ushtarak midis aleatëve, trupat italiane e pushtuan tërë territorin e Shqipërisë, madje edhe atë pjesë veriore që neve na ishte njohur në Paktin e Londrës. Vetëm Shkodra ka qenë nën pushtimin e përbashkët të trupave franceze dhe italiane. Për shkak të qëndrimit armiqësor që kishte marrë në atë kohë Italia ndaj shtetit të SKS, pushtimin ushtarak të Shqipërisë nga Italia ne e konsideruam si rrezikun më të madh për ekzistencën tonë. Midis nesh dhe Italisë, në terrenin shqiptar u ndërmor një luftë e ashpër. Për këtë arsye, italianët shtruan çështjen malazeze dhe maqedonase, si dhe idenë për Shqipëri të Madhe deri në Kaçanik. Kundër tyre, ne kemi zhvilluar, herë aksion sekret, herë aksion publik, duke e bërë për vete parinë shqiptare dhe duke përdorur idenë “e Shqipërisë së pavarur” dhe “Ballkani popujve të Ballkanit”.
Përgjigjja jonë e fundit Konferencës së Paqes – Në përgjigjen tonë të fundit dërguar Konferencës së Paqes datë 14 janar 1920, ne edhe më tej mbetëm në qëndrimin se zgjidhje më e mirë do të ishte që administrimi i Shqipërisë, në kufijtë e caktuar në vitin 1913, t’i besohet qeverisë autonome vendore, pa ingjerenca të cilësdo fuqie të huaj. Epo qe se zgjidhja nuk do të pranohet dhe vendoset që pjesë të territorit shqiptar t’u jepet shteteve të tjera, delegacioni ynë kërkoi një pjesë të Shqipërisë veriore (duke ia bashkëngjitur kërkesës një hartë me kufirin e shënuar), për të cilën premtoi një regjim autonom.
Pikëpamja e të ndjerit Pashiq – Kur dukej si e sigurt se aleatët do t’i lejojnë Italisë të përforcohet në Shqipërinë qendrore, kryetari i delegacionit tonë – Pashiqi, kah fundi i viti 1919 e njoftoi qeverinë në Beograd se ka ardhur çasti që, të shtrënguar nga rrethanat, ta ndryshojmë politikën tonë ndaj Shqipërisë. Në atë letër thuhet: “Duke qenë se nuk mundemi ta vendosim gjendjen në Shqipëri siç ka qenë para evakuimit të ushtrisë sonë dhe shtetit të parë të Esad pashës, për shkak të depërtimit të Italisë dhe mbështetjes së Italisë nga Fuqitë; duke qenë se Fuqitë duan ta zbatojnë Marrëveshjen e Londrës dhe se nuk do të ketë Shqipëri siç e kemi mbrojtur ne, por aleatët do t’ia japin Italisë Vlorën me hinterland dhe me protektorat ndaj një pjese të Shqipërisë – kështu që, në rrethana të tilla, ne duhet të kërkojmë kufij të tjerë dhe më të mirë ndaj territoreve të Shqipërisë që do të bien nën protektoratin italian. Minimumi që do të marrim prej aleatëve është kjo: kufiri përgjatë Drinit të Zi deri në grykën e Drinit të Bardhë, e prej aty, me Drinin e madh deri në det. Prandaj duhet të kërkojmë maksimumin në mënyrë që Italia të fitojë sa më pak territor. Ky maksimum i pretendimeve tona do të kishte qenë: lumi Mat deri te burimi i tij dhe prej aty drejt lindjes deri te Drini i Zi. Pra, Mati dhe Drini do të ishin kufijtë ndaj protektoratit italian”.

VI. SHQIPËRIA PARA KONFERENCËS SË AMBASADORËVE
Duke qenë se me evakuimin e Shqipërisë prej trupave italianë do të pastrohej situata në terren, në nëntor të vitit 1921 Konferenca e Ambasadorëve do të mundë të merrte vendim për njohjen e Shqipërisë si shtet të pavarur dhe sovran. Në vend të premtimeve të mëhershme, përkatësisht Vlorës dhe mandatit ndaj Shqipërisë, Fuqitë e Mëdha ia kanë njohur Italisë vetëm interesin special të sa për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Shqipëria ka hyrë edhe në Lidhjen e Kombeve, me shpresë se një gjë e tillë akoma më shumë do ta sigurojë pavarësinë e saj. Para Konferencës së Ambasadorëve edhe njëherë më kot u përpoqëm ta fitojmë korrigjimin e kufirit kah Shkodra dhe kah Drini, duke i theksuar për Shkodrën arsyet historike, ndërsa për Drinin – arsyet ekonomike dhe arsyet e qarkullimit. Eksperti francez në Konferencë, Larosh, kështu na ngushëllonte: “Qeveria mbretërore ka gabuar që nuk e ka pranuar atëherë propozimin francez për ndarjen e Shqipërisë. Pashiqi ishte pajtuar me këtë, por qeveria në Beograd e refuzoi një gjë të tillë”. Me fjalë të tjera, për të mos i lëshuar italianët në Vlorë, ne u detyruam të heqim dorë nga Shkodra dhe nga kufiri deri në Drin. Duke qenë se ne gjithmonë e kemi përfaqësuar idenë e pandashmërisë së territorit shqiptar, siç është caktuar ai në vitin 1913, si dhe atë të pavarësisë së Shqipërisë, do të mund të supozohej se kjo zgjidhje e Konferencës së Ambasadorëve, ishte e kënaqshme për ne. Mirëpo, këtu kemi të bëjmë me diçka tjetër. Vështirësitë në marrëdhëniet tona me Shqipërinë dhe në marrëdhëniet tona me Italinë për shkak të Shqipërisë vazhdojnë të radhiten , përkundër shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur dhe anëtare e Lidhjes së Kombeve.
Republika e Mirditës – Derisa Konferenca e Ambasadorëve vendoste për kufijtë e Shqipërisë dhe për organizimin e pavarësisë së saj, në gjysmën e viti 1921, me parinë e Mirditës ne kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi. Ishte parashikuar krijimi i shtetit të lirë të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat ushtarake të SKS-së dhe interesat e të cilit në botën e jashtme do t’i përfaqësonte qeveria në Beograd. Qeveria në Tiranë e shoi këtë lëvizje, ndërsa ne u fajësuam dhe u dënuam para Lidhjes së Kombeve.
Pakënaqësia e popullatës shqiptare, të cilën edhe ne e kemi mbështetur, i detyroi italianët që në fillim të viti 1920 t’i tërheqin trupat e veta nga brendia e Shqipërisë dhe të qëndrojnë vetëm rreth Vlorës, nga ku, në qershor të po atij viti, po ashtu do të detyrohen të tërhiqen, duke lidhur me qeverinë e Tiranës një marrëveshje për evakuimin e tërë territorit shqiptar, me përjashtim të ishullit të Sazanit. Pra, evakuimi i Shqipërisë ndodhi për shkak të qëndresës së organizuar të shqiptarëve, por nuk duhet shpërfillur faktin se Italia në atë kohë, politikisht dhe ushtarakisht ka qenë tejet e dobët. Edhe sot ka shqiptarë që mendojnë se do të mundë t’i dëbonin italianët nga Shqipëria, kur të donin. Ky vetëbesim është fatal për ata, për arsye se nuk janë duke e parë se Italia fashiste e sotme nuk është ajo e vitit 1920, nën qeveritë parlamentare të Nitit, Gjolitit dhe Faktes.

VII. PAKTI I ROMËS, PASHIQI, MUSOLINI DHE SHQIPËRIA
Pakti i Romës i janarit të vitit 1924, me frymën e vet ia imponoi edhe Romës edhe Beogradit respektimin e pavarësisë dhe parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe njoftimin e ndërsjellë lidhur me ngjarjet në Shqipëri. Mirëpo kjo nuk ishte pengesë që qeveria italiane, në qershor të viti 1924 ta ndihmonte Fan Nolin për t’u rebeluar kundër Ahmet Zogut; nuk ishte pengesë as për qeverinë tonë që në dhjetor të po atij viti t’i mundësojë Ahmet Zogut të hyjë në Shqipëri nga territori ynë dhe ta marrë pushtetin. As Roma, as Beogradi nuk kanë mundur t’u bëjnë ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” të vet shqiptarë, të cilët kërkonin ndihmë për të ruajtur pushtetin apo për të ardhur në pushtet, duke premtuar besnikëri dhe bashkëpunim, ndërsa e ndërronin orientimin pa nguruar fare. .

VIII. PAKTI I TIRANËS DHE GJENDJA QË KRIJOI AI
I ndjeri Pashiq, duke u dhënë udhëzime përfaqësuesve tanë për punën në Shqipëri, u thoshte: “Ne duam një Shqipëri të pavarur, por një Shqipëri të dobët dhe të parregulluar”. Koha tregoi se kjo nuk ishte e mundur të qëndrojë. Një Shqipëri e dobët dhe e parregulluar patjetër të kërkonte ndihmë dhe mbrojtje aty ku ka mundur të gjejë. Regjimi që ka qenë i rrezikuar nga Italia na drejtohej neve, ndërsa ai të cilin ne donim ta rrëzonim, kërkonte mbrojtje nga Italia. Në vitin 1926, Shqipëria e dobët dhe e parregulluar kërkoi mbrojtjen dhe ndihmën e Italisë. Ahmet Zogu, së pari mori garanci për regjimin e vet dhe pastaj, në vitin 1927 u pajtua të lidhë Aleancë ushtarake për 20 vjet, mori qindra milionë lira për punime publike, ekonomikisht dhe financiarisht Shqipërinë plotësisht ia nënshtroi Italisë, pranoi shumë instruktorë italianë. Me fjalë të tjera, u krijua raport që i ngjan shumë atij protektorati kundër të cilit kemi luftuar në Konferencën e Paqes. Ajo që na ka rrezikuar më së shumti vitet e fundit nga Shqipëria, ka qenë organizimi ushtarak, fortifikimet ushtarake dhe aksioni irredentist. Kudo kemi parë rrezik nga aksioni italian si dhe atë “kufirin ofensiv” kundër të cilit kemi luftuar para aleatëve në Paris, kur propozonin që Italisë t’i jepet mandat në Shqipëri. Këtu është me interes të theksohet se vetëm ne kemi protestuar dhe kemi luftuar kundër penetrimit italian në Shqipëri dhe në Ballkan. Lidhur me sa më sipër, asnjë vend tjetër i Ballkanit nuk na ka mbështetur. Dy fuqitë detare mesdhetare, Franca dhe Anglia, nuk reaguan kundër mbylljes së detit Adriatik. Madje, Osten Çemberleni, në mbledhjen me Musolinin në Livorno në vitin 1926, dha pëlqim për Paktin e Tiranës. Të gjithë përfaqësuesit francezë në Tiranë vazhdimisht i kanë dhënë këshilla Mbretit Zog të mos vijë në konflikt me italianët.

IX. PAKTI I MIQËSISË MIDIS ITALISË DHE JUGOSLLAVISË I DATËS 25 MARS 1937
Italia dhe Jugosllavia, duke ndjekur ndaj njëra-tjetrës politikë miqësore mund të merren vesh për Shqipërinë mbi këtë bazë: Italia ka interes jetik në Vlorë, kjo pjesë e bregdetit shqiptar nuk duhet të rrezikohet prej nesh; ne duhet ta kuptojmë këtë interes dhe duhet ta respektojmë. Interes jetik i Jugosllavisë është të mos jetë e rrezikuar në kufirin ndaj Serbisë jugore, as ndaj Kosovës (të banuar me shqiptarë), as ndaj Shkodrës dhe Malit të Zi. Kësaj pa dyshim i është kushtuar kujdes kur në protokollin sekret me paktin e miqësisë është parashikuar të pezullohet fortifikimi i mëtejmë në zonat e Librazhdit dhe të Milotit. Sa i përket aksionit ekonomiko-financiar në Shqipëri, ne për këtë nuk kemi, e as që dëshirojmë të investojmë ndonjë farë shume mjetesh. Me fjalë të tjera, italianët mbeten pa konkurrencë dhe pa kundërshti nga ana jonë, kuptohet me kusht që të mbeten në kufijtë e detyrimit sekret të dytë që e kanë marrë përsipër ndaj nesh para dy vjetëve, që nënkupton se në aspektin politik, ekonomik apo financiar nuk do të kërkojnë kurrfarë dobie speciale që do të komprometonte drejtpërsëdrejti apo tërthorazi pavarësinë e shtetit shqiptar. Në këtë mënyrë, midis nesh dhe Italisë, pakti i miqësisë i datës 25 mars 1937 krijoi një “modus vivendi” të përballueshëm në terrenin shqiptar, në të cilin dikur kemi pasur zënka dhe dyshime të ndërsjella. Është çështje tjetër nëse ky armëpushim në Shqipëri do të mund t’u bënte ballë sfidave të ndonjë situate më të rëndë dhe më të ndërlikuar në Detin Mesdhe apo në Ballkan.

X. RUAJTJA APO NDRYSHIMI I STATUS KUO-SË
Pavarësia e Shqipërisë është zvogëluar, por nuk është asgjësuar – Pavarësia e një vendi ndaj botës së jashtme gjithmonë është një nocion relativ. Varësisht nga rrethanat, pavarësia mund të jetë më e plotë apo e zvogëluar. Sot për Shqipërinë mund të thuhet se politika e brendshme dhe e jashtme e saj është e pavarur nga Italia. Megjithëkëtë, në bashkësinë ndërkombëtare ajo konsiderohet si shtet i pavarur. Në pikëpamje juridike ndërkombëtare, bregdeti shqiptar nuk është i Italisë, por është nën sovranitetin e një shteti ballkanik. Italia ende nuk ka hyrë në Ballkan. Ajo e ka pjesën sovrane të territorit të Zarës, por kjo nuk i ofron asaj mundësi për zhvillim të mëtejmë. Italia ka ndikim në Shqipëri, por nuk liri aksioni si në territorin e vet. Megjithëkëtë, shqiptarët e kundërshtojnë penetrimin e saj, i shkaktojnë vështirësi, e ngadalësojnë.
“Ballkani popujve të Ballkanit” – Politikë tradicionale e Serbisë është “Ballkani popujve të Ballkanit”. Ky parim është përdorur dikur në luftën kundër Perandorisë Otomane dhe Monarkisë Austro-Hungareze. Jugosllavia e ka përdorur atë me sukses kundër dispozitave të Paktit të Londrës i cili Italinë e fuste në Dalmaci dhe në Shqipëri. Në zbatimin e këtij parimi ne gjithmonë kemi parë garancinë më të mirë për paqe në Ballkan, për bashkëpunim midis popujve të Ballkanit, për zhvillimin normal të popujve të Ballkanit. Prania e një fuqie të madhe në Ballkan u hap rrugë intrigave dhe luftërave.
Ekspansioni i Italisë – A është e mundur që Italia, duke u bërë zot sovran i Shqipërisë jugore dhe qendrore, të mbetet vetëm në atë rrip bregdetar të ngushtë? Ne nuk i kemi besuar kësaj para 20 vjetëve, kur Fuqitë e mëdha ia kanë ofruar Italisë Vlorën me hinterlandin (prapavijën – Xh. Z.). Sot kur Italia, në politikën e jashtme të saj manifeston një dinamizëm dhe guxim të theksuar, e kemi shumë më rëndë t’i besojmë kësaj.
Një precedent i rrezikshëm – Zotërimi i një pjese të territorit ballkanik nga një Fuqi e Madhe jashtë-ballkanike, pa kurrfarë baze etnike, për të gjithë popujt e Ballkanit, pra edhe për ne, paraqet një precedent të rrezikshëm. Me pretendime të ngjashme, nga drejtime të tjera, mund të paraqiten edhe Fuqi të Mëdha të tjera. Për ne është i rrezikshëm rasti i Italisë në Shqipëri ngase me Paktin e Londrës, për herë të parë Shqipëria jugore iu njoh Italisë; po kësaj Italie iu njoh edhe Dalmacia veriore. Precedenca për gjallërimin e dispozitave të Paktit të Londrës në një sektor të Ballkanit, i hap dyert edhe për gjallërimin e dispozitave të tjera.
Ndarja e Shqipërisë – Me rastin e vlerësimit të krejt kësaj çështjeje duhet pasur parasysh faktin që në çdo mënyrë t’i shmangemi një konflikti me Italinë, qoftë të hapur, qoftë mbyllur. Po ashtu duhet t’i shmangemi edhe mundësisë që Italia vetë ta pushtojë tërë Shqipërinë duke na rrezikuar ne në zonat tejet të ndjeshme, kah Boka e Kotorit dhe kah Kosova. Duke marrë parasysh krejt këtë që e kemi thënë më lart, për ne ndarja e Shqipërisë do të mund të vinte parasysh vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e pashmangshme të cilës nuk mund t’i kundërvihemi dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të përfitojmë aq sa është e mundur, d.m.th. prej dy të këqijave ta zgjedhim më të voglën.
Kompensimet tona – Këto kompensime ndodhen në materialin që është përpunuar para 20 vjetëve, kur shtrohej çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që kemi kërkuar atëherë është kufiri që do të shkonte me lumin e Matit dhe të Drinit të Zi dhe që do të na jepte neve sigurimin strategjik të Malit të Zi dhe të Kosovës. Po ashtu do të duhej patjetër t’i siguronim luginat e liqenit të Ohrit dhe ato të liqenit të Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Gollo Bërdos, si dhe ato midis Prespës dhe Korçës. Me këtë rast, marrja e Shkodrës do të kishte një rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte zbatimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ta ushqyer Malin e Zi. Shqipëria veriore në kuadër të Jugosllavisë do t’i mundësonte Serbisë veriore dhe jugore lidhje të reja qarkullimi me Adriatikun. Me ndarjen e Shqipërisë do të eliminohej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Eventualisht, neve do të na shtoheshin edhe 2 – 300.000 shqiptarë, por shumica e tyre janë katolikë, marrëdhëniet e të cilëve shqiptarët myslimanë kurrë s’ka qenë e mirë. Edhe çështja e shpërnguljes së shqiptarëve myslimanë për në Turqi do të kryhej në rrethana të reja, për arsye se nuk do të kishte kurrfarë aksioni të fortë për parandalimin e saj. //////////////////
* * *
Ivo Andriqi (1892-1975) ka lindur në Travnik të BH-së. Ka vdekur në Beograd. Në Vjenë ndjek ligjërata nga historia, letërsia dhe filozofia. Kalon në Fakultetin Filozofik në Krakov të Polonisë. Më 1920 e fillon karrierën diplomatike. Më 1923 i vazhdon studimet në Fakultetin Filozofik në Gracë. Më 1924 mbron në Gracë tezën e doktoratës “Zhvillimi i jetës shpirtërore në Bosnjë nën ndikimin e sundimit turk”. Me t’u kthyer në Beograd, punon në Sektorin politik të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ka punuar në konsullata në shumë vende të Evropës, si Marsejë, Paris, Madrid, Bruksel; në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë etj. Avancohet në zëvendësministër të Punëve të Jashtme. Ambasador në Berlin. Letrat kredenciale ia dorëzon kancelarit Adolf Hitler. Më 1941 lë Berlinin dhe kthehet në Beograd. I përshtatet regjimit komunist të Titos. Më 1946 bëhet kryetar i parë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Po atë vit bëhet anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve. Më 1954 bëhet anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Më 1957, në moshën 66-vjeçare lidh kurorë me vejushën Anica Babiq (1909-1968), e cila ka qenë grua e diplomatit Nenad Jovanoviq (1907-1957). Dashurinë e saj e ka pritur 30 vjet. Më 1961 merr çmimin “Nobel” për letërsi. Përkthehet në mbi tridhjetë gjuhë të botës. Gjatë periudhës së sipërthënë shkruan tregime, novela, romane. Vdes në Beograd më 1975.
* * *
Shënim: Konti Galeazo Çiano (Galeazzo Ciano, 1903-1944) – ministër i Punëve të Jashtme i Italisë në qeverinë Musolinit; anëtar i Këshillit të madh fashist (Gran consiglio fascismo); dhëndër i Benito Musolinit (Benito Mussolini, 1883-1945); në vitet 1937-1940, disa herë ka ardhur në  Shqipëri; u pushkatua më 11 qershor 1944; Musolini e miratoi ekzekutimin e dhëndrit të vet.
Millan Stojadinoviq (Milna Stojadinović, 1888 – Buenos-Aires, 1961) – politikan serb, ekonomist, profesor universiteti; në vitet 1935-1939 kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë; Gjatë Luftës II Botërore, u internua në territorin grek, më iu dorëzua anglezëve. Në vitin 1948 vendoset në Buenos-Aires; aty, kah fundi i viti 1954, me ish-kreun e Shtetit të Pavarur Kroat, Ante Paveliqin (1889 – Madrid, 1959) lidh një marrëveshje për shkatërrimin dhe ndarjen e Jugosllavisë komuniste; ka qenë anëtar i Partisë Radikale Popullore të Nikolla Pashiqit.
Nikolla Pashiqi (1845-1926) – kryeministër shumëvjeçar i Mbretërisë së Serbisë dhe i Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve; u shkollua në Universitetin e Beogradit dhe në Cyrih; me profesion ishte inxhinier; këtë profesion s’e ushtroi kurrë; tërë jetën u mor me punë politike; në thelbin e politikës së tij qëndron krijimi i Serbisë së Madhe; nuk është serb; është cincar, apo vlleh i familjes Pasku; sipas studiuesve bullgarë, është bullgar; ndaj kundërshtarëve politikë që i kundërviheshin hegjemonisë serbomadhe, zbatonte metoda represive, i përndiqte dhe i eliminonte
Xhelal Zejneli