“E admiron Florian Markun dhe ëndërron të bëhet kampion bote”, flet Bleon Rexhepi, talenti shqiptar i Kick-boksit që po shkëlqen në Austri (FOTO)

27 gusht – Bleon Rexhepi është një yll i ri i Kick-boksit që ka nisur të shkëlqejë në Austri. Talenti shqiptar po paraqitet shumë mirë në ring, pasi ka arritur 11 fitore dhe vetëm dy humbje në 13 ndeshje të zhvilluara, shkruan Open-TV. Rexhepi garon në dy pesha (71kg dhe 75kg) dhe për momentin gëzon titullin e Austrisë në Profi-Amater nga mosha 16-35 vjeç.

Bleon Rexhepi me vëllain e tij Endritin

Bleon Rexhepi me vëllain e tij Edonin

Ai ka lindur më 15 shtator 2006 në Wels të Austrisë, prindërit e tij janë nga fshati Gllazhnjë i komunës së Likovës, ndërsa para shumë vitesh janë shpërngulur në Hasanbeg të Shkupit. Bleoni me Kick Boks ka nisur të merret në moshën 13 vjeçare në Fightclub Silberrucken në Wels, kurse trajner i tij i parë është Andreas Helm. Meçi i tij i parë ka qenë në moshën 15-vjeçare, në turneun që ka përfshirë garues nga e gjithë Austria, duke i mposhtur të dy garuesit.

“Në një turne në Wels të organizuar nga trajneri im, unë përfaqësoja Austrinë dhe e zura vendin e parë. Gjithashtu edhe në Austria Open në Tirol, në të cilën kanë marrë pjesë garues edhe nga jashtë Austrisë, unë e fitova vendin e parë. T’ju kujtoj se në këtë turne kanë marrë pjesë garues prej 0-5 meçe (newcomer turnier)”, e nis bisedën për Open-TV Bleon Rexhepi, për të vazhduar më pas:

“Titulli më i ëmbël që e kam fituar drei tani ka qenë kur u bëra kampion i Austrisë në Pro-Am. Kundërshtarin e kisha nga Wiena i klubit MMA, ka qenë me origjinë bullgar. Ndërsa në Austria Open e deklasova një serb me origjinë nga Zvicra. Mos të harroj të përmendi garën e zhvilluar Fight Night në Kirchdorf të Oberosterreich, ku në atë meç e fitova kundërshtarin që ishte edhe njëherë më i vjetër se unë. Ai ishte 32 vjeç. Gjithashtu një meç shumë interesant, ku e zura vendin e parë, ishte në turneun për Europë, ka qenë ndaj poljakut Artur Olejniczak, të cilin e pata fituar bindshëm”.

Bleon Rexhepi thotë se ushtron shumë. “Unë ushtroj nga gjashtë herë në javë, duke filluar nga dita e hënë deri të shtunën, edhe atë nga dy herë në ditë. Vetëm të shtunën stërvitem njëherë në ditë”, tregon ai Bleoni falënderon babain e tij, Bekimin, për mbështetjen maksimale ndaj tij, ndërsa e admiron Florian Markun e njohur.

Bleoni me babain e tij, Bekim Rexhepin, pas një suksesi të madh

“Babai im është ‘idoli’ im, sepse ka punuar më së shumti me mua dhe familjen tonë, kështu që edhe unë do të punoj fuqishëm për çdo klub, të cilin do ta përfaqësojë. Si kickbokiser e admiroj shumë Florian Markun”, thekson ai.

Rexhepi ka një ëndërr të madhe. “Ëndrra ime është të bëhem kampion bote, shpresoj dhe beësoj që ta realizojë”, flet me tone optimiste Rexhepi. Ai duelin e radhës e ka në Wien më datë 23 shtator ndaj një hungarezi, kurse më pas do të marrë pjesë në Europeanchampionship në Triestë të Italisë, më datë 28-29 tetor të këtij viti. Padyshim se Bleon Rexhepin e pret një e ardhme e ndritur. (Open-TV)