Medai Shaholli
Gjasat për ndryshimet kushtetuese që parlamenti i Severnës t’i votojë duken shumë të vockla, pasi VMRO-ja me komitët e Mickos janë shprehur tashmë qartazi se nuk do t’i votojnë ato ndryshime nën shantazhin bullgar dhe se zgjidhja më e mirë janë zgjedhjet e parakohëshme.
Qëndrimet e opozitës maqedonase dhe opozitës shqiptare në lidhje me ndryshimet me kusht që i ka kërkuar BE dhe Bullgaria janë të kundërta, ku shqiptarët në këtë rast janë të gatshëm t’i miratojnë ato pa e fshirë nofkën e turpit nga kushtetuta si ‘bakshish’ nga MO, ndërsa opozita sllavo-maqedone nuk ndryshon nga pozita vetëm për njollën e turpit shqiptar siç është 20%!
Paradoksi me qëndrimin e shqiptarëve para këtyre zhvillimeve është i turpshëm edhe antikombëtar, pasi pozita shqiptare bashkohet në një qëndrim me opozitën shqiptare vetëm për hir të pushtetit, ndërsa opozita për hir të ‘eurointegrimeve’ bën kurban gjuhën shqipe.
Integristët e Ali Ahmetit herët a vonë do t’ia ‘fërshëllejnë’ drejt një koalicioni të ri me komitët e Mickos pas zgjedhjeve parlamentare, ndaj qëndrimet e tyre për ndryshimet kushtetuese janë pragmaiste dhe pranë pushtetit.
Integristët nuk duan që dikush tjetër nga opozita shqiptare të kollofit leverditë e pushtetit përderisa ata ia kanë ‘marrë dorën’ kësaj rruge të vështirë që sjell të ardhura të majme për ta dhe për klanin e tyre dhe nuk do lejojnë që t’i ndajnë me të tjerët ato peshqeshe që qeveria ndanë për qeveritarët e saj besnikë.
Ndaj, sido që të ndodh me qeverinë e koalicionit të premierit Dhimo, ku duket se s’ka gatishmëri për t’i votuar ato ndryshime nga ana e opozitës sllavo-maqedone, sipas të gjitha parashikimeve ajo po shkon drejt greminës, ku pragmatistët dhe qylaxhinjtë e Ali Ahmetit do ta rinovojnë kontratën e koalicionit me premierin e ri që supozohet se do të jetë kryekomiti Micko.
Nëse do të ndodhë miratimi i ndryshimeve kushtetuese humbasin vetëm shqiptarët, të cilët nëse do të hyjnë një ditë në portën e madhe të Brukselit, do të jenë të vetmit në BE që nuk do të kenë identitet gjuhësor, por do të quhen ‘maqedonsa të drzhavës Severna’!
Ndryshime për ta zhbërë nofkën e 20% herën tjetër nuk do të ketë me gjithë sofizmat e partiçkave shqiptare, pasi blloku sllavo-maqedon nuk ka vullnet dhe as gatishmëri për ta fshirë atë nofkë denigruese ndaj shqiptarëve nga ‘kushtetuta demokratike e drzhavës’.
Statusi i barabartë me sllavo-maqedonët dhe barazimi i plotë i gjuhës shqipe me sllavishten e Dhimos dhe të Mickos, sipas tyre përbën rrezik dhe kërcënim për supremacinë sllavo-maqedonase të shtetit dhe pushtetit nga shqiptarët, pasi pushteti dhe shteti i takon atyre dhe vetëm atyre.