Merxhan Jakupi
Vizita e paradokohshme e ministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Maqedoninë e Veriut, në komunën Çair të Shkupit dhe atë të Tetovës, më së shumti i ka entuziazmuar dhe inkurajuar banorët e fshatrave të Malësisë së Sharrit. Kryeministri Kurti ka kërkuar nisjen sa më të shpejtë të projekti, që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren. Kjo trase ka qenë lidhja e vetme e malësorëve shqiptarë të Sharrit që nga periudha e Perandorisë Osmane, sepse ata kishin martesa të përziera me rajonin e Prizrenit dhe kishin qarkullim të lirë. Malësorët e këtyre fshatrave të zonave kufitare kanë të njëjta kode dhe tradita. Kanë shumë ngjashmëri të riteve, dasmave, festave dhe veshjeve. Ishte rruga kryesore Tetovë – Shkup, prej nga vinin dhe kalonin karvanët nëpër këto shtigje malore të Malësisë së Sharrit për në Prizren.
Ndërtimi i rrugës Tetovë – Prizren do ketë dobi të shumëfishtë. Përveç lidhjes së drejtpërdrejtë me Prizrenin dhe Kosovën, do të ketë një lidhje me Rrugën e Kombit, me këtë edhe drejtpërdrejtë dhe me një shteg më të shkurtër për në bregdetin shqiptar. Po ashtu, kjo rrugë do të mundësojë rimëkëmbjen ekonomike të zonës në trekëndëshin Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri, sidomos do të ndikoj në zhvillimin e turizmit malor dhe të blegtorisë.
Sipas disa të dhënave, një projekt të këtillë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren ka ekzistuar qysh në vitin 1930 nga pushteti i Monarkisë jugosllave. Rruga nuk ka mund të realizohet, për shkak të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Në periudhën e ish-federatës jugosllave, kishte pasur dy projekte për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.
Sipas arkitektit shqiptar nga Tetova, Shefki Aliti, tashmë i ndjerë, Projekti – A parashikonte trasenë ekzistuese që ende ka gjurmë, të cilën malësorët e dinë si “Xhadja e serbit”, që, sipas parallogarive, mund të kishte një çmim më të lirë të investimit, ndërsa Projekti – B apo i njohur si “rruga e Sharrit”, sipas këtij arkitekti, ishte më real nga aspekti politik-pushtetar, sepse ky segment rrugor përfshinte edhe disa fshatra me popullatë të përzier.
Ndërtimi i qendrës turistike dimërore
Sipas veteranit dhe pishtarit të arsimit nga fshati malor, Veshallë, në thellësi të Sharrit, Refik Zendeli, viteve ’60-ta ishte paraparë ndërtimi i një qendre turistike dimërore në këtë zonë të Malësisë së Sharrit, projekt ky që do të realizohej nga firma sllovene “ELAN”. Mësuesi Refik rrëfente se së bashku me arkitektët dhe ekipin bënë kontrollimin e terrenit se ku do të ndërtonin qendrën turistike.
Ekspertët dhe arkitektët e firmës sllovene konstatuan se vendi më i volitshëm, më strategjik dhe më atraktiv për ndërtimin e kësaj qendre turistike do të ishte pikërisht në këtë trekëndësh të kufijve mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Afërsia gjeografike dhe rrugore aty do t’i joshte edhe turistët kosovarë për pushime dimërore. Kjo ishte kohë e sistemit komunist. Por ekspertët sllovenë, sipas mësuesit Refik, kishin qenë shumë vizionarë. Ata kishin thënë se aty në të ardhmen do të mund të vinin edhe turistë nga Shqipëria, pas shembjes së komunizmit dhe ikjes së Enver Hoxhës. Të pranishmit kompetentë vendorë u shtangën nga këto fjalë të ekspertëve sllovenë dhe nuk i përfillën fort. Kështu mbeti një vend tjetër për ndërtimin dhe zhvillimin e qendrës sportive të njohur si Kodra e Diellit apo Popova-Shapka. Për këtë qendër u ndërtua teleferiku, me stacione në Tetovë, fshatin Lisec dhe në Kodrën e Diellit, ndërsa më pastaj u ndërtua edhe rruga automobilistike prej 21 kilometrash prej Tetovë deri në Kodrën e Diellit, që ende është në funksion, ndërsa teleferiku tashmë dy dekada nuk punon. Në këtë qendër u ndërtuan hotele dhe ski-teleferikë, si dhe u ngrit një lagje me vikend-shtëpiza.
Historia e trishtë e fshatrave të Sharrit
Rruga që kishte filluar në periudhën e Monarkisë jugosllave të viteve ’30-ta, që nuk ishte kryer asnjëherë, te malësorët mbeti si një ëndërr e quajtur Xhadeja e serbit të parë. Më kujtohen disa histori nga fëmijëria në fshatin tim Veshallë, ku te sokaku dhe Kroi i Lurajve, zhvilloheshin biseda mes pleqve të fshatit, për kohën e “serbit të parë”, që do t’i bënte me rrugë apo xhade, si i shoshin anamalasit.
Malësorët e disa fshatrave thellë në parzmën e Sharrit, të izoluar dhe larg qytetit, Tetovës, hiqnin të zitë e ullirit, sidomos gjatë dimrit, kur shtresa e trashë e borës nuk mund të depërtohej pa një rrugë. Atëherë shumë nuse të reja vdisnin gjatë lindjes dhe s’kishte kush t’u ndihmojë. Vdisnin edhe pleq dhe të sëmurë të tjerë që nuk mund të mbarteshin deri në qytet, për në spital. Ata mallkonin se pse nuk ishin një fshat i përzier, atëherë ndoshta shteti do t’ua sillte rrugën aty. Më nostalgjikët shkonin më larg, duke kërkuar dovletin. Një berber në qytet u kishte thënë disave që të bënin selam katundarëve se dovleti s’do vjen kurrë më. Një tjetër plak, më kujtohet nga ato biseda, thoshte se janë të mjerë ata që kërkojnë kralin serb dhe dovletin. Po ta ndërtonte krali rrugën për Veshallë, do t’i sillte kolonët serbë aty, sikundër që i shpërndau në disa fshatra të rrafshit të Pollogut.
Standardi i këtyre fshatarëve zuri të përmirësohet në fillim të viteve të 70-ta, me shkuarjen e të rinjve në mërgim në shtetet perëndimore. Ata kur kthenin në vendlindje për pushime, s’kishin rrugë për të arritur në fshat. Kjo ndodhi shumë vonë, kur, më në fund, erdhi edhe asfalti…