Australia do të mbajë votim historik të indigjenëve në tetor

Australianët do të votojnë në një referendum historik më 14 tetor për të vendosur nëse do të miratojnë një Zë Indigjen në Parlament.

Nëse miratohet, votimi do të njihte aborigjenët dhe banorët e ishullit Torres Strait në kushtetutën e vendit dhe do të krijonte një organ të përhershëm për ta për të dhënë këshilla mbi ligjet.

Propozimi është objekt i një debati të ashpër në Australi. Vendi nuk ka pasur një referendum të suksesshëm në gati 50 vjet.

Që të ketë sukses, shumica e australianëve duhet të votojnë pro. Gjithashtu duhet të ketë mbështetje të shumicës në të paktën katër nga gjashtë shtetet e Australisë.

Përbërja, funksionet dhe kompetencat e organit – këshillat e të cilit nuk do të ishin të detyrueshme – më pas do të hartoheshin dhe debatoheshin nga parlamenti.

Duke shpallur datën e votimit në një tubim në Adelaide, kryeministri Anthony Albanese e quajti votimin “një shans që ndodh një herë në brez për të bashkuar vendin tonë dhe për ta ndryshuar atë për mirë”.

Zëri do të ishte “një komitet i Australianëve Indigjenë, i zgjedhur nga Australianët Indigjenë, duke i dhënë këshilla qeverisë në mënyrë që ne të mund të marrim një rezultat më të mirë për Australianët Indigjenë”, tha ai.

“Ju kërkohet… t’i thoni “po” një ideje, koha e së cilës ka ardhur – t’i thoni po një ftese që vjen drejtpërdrejt nga vetë njerëzit aborigjenë dhe të ishullit të Torres Strait”.

Ai u rekomandua nga një dokument historik në 2017-ën, i quajtur Deklarata Uluru nga Zemra. E hartuar nga më shumë se 250 liderë indigjenë, deklarata konsiderohet thirrja më e mirë – megjithëse jo unanime – për veprim për reformat që prekin Australianët e Kombeve të Parë.