Wagner gjen strehim në Bjellorusi, Polonia shton 500 policë në kufi

Polonia ka vendosur të shtojë 500 policë në kufirin e saj me Bjellorusinë, pas vendimit që ky vend mori për të pranuar në territorin e tij merecenarët e Wagner, pjesa më e madhe e të cilëve tashmë është larguar nga lufta në Ukrainë.

Lajmi u dha nga ministri i Brendshëm, Kaminski, i cili shtoi se masa vjen dhe si pasojë e numrit të madh të emigrantëve që kalojnë në këtë kufi, një pjesë e të cilëve largohen nga lufta.

“Për shkak të situatës së tensionuar në kufirin me Bjellorusinë, kam vendosur të shtoj përforcimet me 500 policë nga njësitë parandaluese dhe kundër terrorizmit”, tha Kaminski.

Prej dy vitesh, Polonia ka lëshuar akuza ndaj Bjellorusisë se ka krijuar një krizë artificiale emigrantësh në kufi, duke sjellë me avionë njerëz nga Lindja e Mesme dhe Afrika, duke u përpjekur t’i shtyjë ata përtej kufirit drejt Polonisë.