Temperaturat mbi 40 gradë celsius e kanë ndezur alarmin, por kjo është edhe një tregues se alarmi do të duhet të ndizet edhe tek qytetarët, me qëllim që të mos të dalin jashtë shtëpive të tyre në kohët më të nxehta.
Po ashtu është rritur numri i personave të cilët kërkojnë ndihmë shëndetësore, por janë vërejtur edhe trafiku i gjatë në komunikacion. Brenda 24 orëve Ndihma e Shpejtë Mjekësore ka pranuar mbi 300 thirrje nga qytetarët, ndërsa intervenohet në mbi 100 intervenime në ditë.
“Kemi aksidente në komunikacion edhe të veturave, por edhe të motoçikletave apo edhe të mjeteve të tjera transportuese të verës, që dukshëm ka rritur numrin e intervenimeve. Por, kemi raste të shumta kur intervenojmë tek qytetarët të cilëve i është përkeqësuar gjendja shëndetësore nga moti i ngrohtë apo edhe raste kur drejtuesit e automjeteve gjatë drejtimit të automjetit kanë vështirësi në frymëmarrje.”, – deklaroi dr. Margareta Atanasovska Tripunovska nga Ndihma e Shpejtë Mjekësore.
Më tepër lëngje rekomandojnë mjekët. Ekipet e Kryqit të Kuq në vendet më të frekuentuara të qytetit të Shkupit shpërndajnë ujë për kalimtarët.
“Do të shpërndajmë ujë, fletushka dhe mjete të tjera se si të mbrohen qytetarët. Por, nëse qytetarët kanë nevojë edhe për shërbime tjera, ekipet tona janë të pajisura, ku kemi edhe ekipe të mjekëve, të cilët do t’u dalin në ndihmë atyre.”, – theksoi Argjend Çillafi nga Kryqi i Kuq.
Ndërsa, në fuqi janë futur rekomandimet e Qeverisë që gratë shtatzëna dhe personat e moshuar mbi 60 vjeç të lirohen nga obligimet e punës, ndërsa në çerdhet për fëmijë është rekomanduar që të largohen aktivitete fizike apo nxjerrja e fëmijëve jashtë objektit. Qeveria ka vendosur që këto mjete të jene në fuqi deri ditën e diel.