SPAK kërkon arrestimin e Ahmetajt, Kryemadhi: Të arrestuarit venë e vijnë, ndërsa pagesat vetëm venë…

Monika Kryemadhi, e cila është ndër politikanet që u investua më shumë për të denoncuar aferën e inceneratorëve, ka reaguar pas kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt.

Kryemadhi i kërkon SPAK që të merret me pagesat ndaj kompanive të inceneratorëve që sipas saj vijojnë të kryhen rregullisht, duke iu referuar këtu dhe Bashkisë së Tiranës.

Postimi i Kryemadhit:

Lajm i fundit: SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetaj, ish Zv Kryeministër. Të arrestuarit venë e vijnë, ndërsa PAGESAT vetëm venë. Folloë the money….SPAK mos harro të ndalosh edhe pagesat e Bashkisë Tiranë!

SPAK ka reaguar zyrtarisht në lidhje me kërkesën që i ka dorëzuar Kuvendit, për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit socialist Arben Ahmetaj, dhe për kontrollin e banesës së tij.

SPAK ka ngritur tre akuza në drejtim të Ahmetajt, i cili ka mbajtur postin e numrit dy të qeverisë, si dhe ka drejtuar ministrinë e Financave.

Ai akuzohet për korrupsion në aferën e inceneratorëve, për të cilën më herët janë vënë në pranga dhe Lefter Koka e Alqi Bllako, të dy ish-deputetë në Kuvend, dhe njëri prej të cilëve Ministër Mjedisi.

Ahmetaj akuzohet për “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” dhe veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i K.Penal.