Shukova: Nuk është e pazakontë që një ministër të kërkojë që një vendim i caktuar i Qeverisë të rishqyrtohet

Nuk është e pazakontë që një nga ministrat në Qeveri të kërkojë rishqyrtimin e një vendimi të caktuar, siç është bërë me koncesionet për Ilovicën, tha sot ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Kaja Shukova.

“Kjo është bërë në seancën e fundit të qeverisë, ku ministri i Ekonomisë ka shpjeguar bukur të gjithë procesin për marrjen e koncesioneve për minierën e Ilovicës, që vazhdon që nga viti 2005, pas së cilës u anulua vendimi për bashkimin e koncesioneve. Se si do të vazhdojë procesi është në kompetencë të Ministrisë së Ekonomisë”, tha Shukova në një pyetje të gazetarëve në konferencën e sotme për media në Qeveri.

Ajo ka theksuar se pas rishqyrtimit të vendimit, Qeveria ka marrë qëndrim dhe ka anuluar vendimin e mëparshëm për bashkimin e koncesioneve për minierën e Illovicës.

Siç ka theksuar ai, aktualisht nuk ka të dhëna për sasitë e parashikuara të arit dhe bakrit që ka investitori potencial në Ilovica. Aktualisht, shtoi ai, është vetëm një hamendje nëse investitori do ta apelojë vendimin në një gjykatë arbitrazhi.

“Nuk mund të themi se kjo do të ndodhë me siguri. Ne si qeveri ndjekim ngjarjet dhe punojmë sipas ligjit. Nëse investitori potencial hap një procedurë arbitrazhi, Qeveria do të përfshihet në atë proces dhe do të përpiqet që i gjithë procesi të zhvillohet në interes të qytetarëve dhe të mos humbasin mjetet buxhetore. Është një proces i udhëhequr nga shtëpi të posaçme arbitrazhi dhe shpresoj se do të përfundojë në interes të shtetit”, thekson Shukova.

Më herët, në seancën e 27 qershorit, qeveria mori vendim për bashkimin e dy koncesioneve për minierën e Ilovicës, pas së cilës disa nga ministrat u ankuan se pika e rendit të ditës ishte vënë si pikë shtesë vetëm një ditë para seancës dhe se nuk kanë mundur të shqyrtojnë materialet e paraqitura në marrjen e vendimit fillestar.

Shukova: Po fillojmë me shpërndarjen e fondeve për komunat për përmirësimin e infrastrukturës ujore
Secila nga komunat dhe komunat e qytetit të Shkupit do të marrin 200.000 euro në mënyrë të barabartë, ndërsa nga shuma e mbetur 16 milionë euro do të shpërndahen sipas indeksit për zhvillim komunal dhe përqindjes së shpërndarjes sipas rajoneve planore sipas shkallës së zhvillimit për periudhën 2018-2023, ndërsa 18 milionë euro të mbetura do të shpërndahen në varësi të numrit të popullsisë në komuna – 70 për qind dhe numrit të vendbanimeve – 30 për qind.

Kjo, siç tha në konferencën e sotme për media në Qeveri, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, është vendosur në seancën e kaluar të Qeverisë. Vlera totale e kredisë për projektin është në vlerë prej 50 milionë euro dhe e njëjta do të shlyhet nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Përfituesit përfundimtarë të mjeteve nga kredia janë komunat dhe komunat në Qytetin e Shkupit.

“Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) do të lidhë marrëveshje për donacion me secilën komunë dhe mjetet do të shpërndahen sipas metodologjisë së përcaktuar për realizimin e investimeve prioritare për sistemin e ujësjellësit, kanalizime, stacione të pastrimit të ujërave të zeza dhe paisje. Besoj se kjo ndarje do të sigurojë stimulim zhvillimor dhe përmirësim të parametrit social-ekonomik në të gjitha komunat, si dhe përmirësim të mjedisit dhe shëndetit të popullatës”, tha Shukova.

Sipas saj, shpërndarja është zhvillimore, sepse 46 komuna do të marrin mjete nga gjysmë deri në një milion euro, 28 komuna do të marrin mjete nën 500 mijë euro, ndërsa gjashtë komuna (7% e numrit të përgjithshëm të komunave) do të marrin më shumë se një milion euro.

“MMJPH në peridhën e kaluar ka ndërmarrë një sërë hapash dhe aktivitetesh për realizimin e projektit – është miratuar Vendim për formimmin e njësisë projektuese, janë publikuar dy thirrje publike për shprehjen e interesit për ekspertët e njësisë, është formuar një ekip projekti nga MMJPH për zbatimin e projektit, janë dorëzuar kërkesat deri tek komunat për listën e projekteve të propozuara dhe dokumentacionin, si dhe është bërë një analizë fillestare e listës së projekteve të propozuara në përputhje me kriteret e përcaktuara”, tha Shukova.

Komunat , ndërkaq, shtoi, deri në këtë moment në MMJPH kanë dorëzuar një listë me gjithsej 373 projekte të propozuara, prej të cilave për momentin: Rajoni i Shkupit ka dorëzuar 67 projekte, Rajoni i Vardarit 64, Rajoni Lindor dhe Jugperëndimor nga 50, Rajoni i Pollogut 46, Rajoni Juglindor 40, Rajoni i Pellagonisë 36 dhe Rajoni Verilindor 20.

Ministrja Shukova njoftoi se në periudhën e ardhshme është planifikuar të mbahen punëtori me komunat për të shpjeguar procesin dhe trajnimet për plotësimin e pyetësorëve të projektit. Gjithashtu, Njësia e Zbatimit të Projektit dhe Konsulenti do të punojnë për përgatitjen e dosjeve të tenderit për secilën nga komunat.