SHBA: Ministri rus i mbrojtjes po kërkon armë në Korenë e Veriut

Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu ka udhëtuar në Korenë e Veriut për të siguruar furnizimet me armë që i nevojiten Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë. Kjo është bërë e ditur nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Rusia po përpiqet të blejë armë nga aleatët në mbarë botën. Ne e shohim Rusinë duke kërkuar me dëshpërim mbështetje, për armë kudo që mund t’i gjejë, për të vazhduar ndjekjen e agresionit të saj kundër Ukrainës”, theksoi Blinken.

“Ne e shohim atë në Korenë e Veriut dhe e shohim gjithashtu atë me Iranin, i cili e ka furnizuar Rusinë me shumë dronë që ajo po i përdor për të shkatërruar infrastrukturën civile dhe për të vrarë civilët në Ukrainë”, shtoi më tej ai.

Ndërkohë Financial Times shkruan se ukrainasit qëlluan me predha artilerie të prodhuara në Korenë e Veriut mbi pozicionet ruse, duke përdorur municionet e Phenianit kundër forcave të presidentit rus Vladimir Putin, një aleat i liderit Kim Jong Un.

Ushtarët ukrainas thanë se municioni ishte “kapur” nga një anije nga një vend “mik” dhe i ishte dorëzuar Ukrainës. Nga ana e saj, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se raketat me gjasë janë marrë nga forcat ruse.

Ndërkaq një raketë ruse ka goditur një ndërtesë banimi në Dnipro, duke lënë 9 të plagosur. Këtë e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm ukrainas.