Ricky Martin për Shqipërinë: Vendi më mikpritës që do të vizitoni ndonjëherë

Mbrëmjen e sotme në sheshin “Skënderbej” do të performojë për herë të parë ylli i muzikës latine Ricky Martin, i cili do të dhurojë një performancë elektrizuese dhe plot atmosferë.

Këngëtarin e njohur latin e ndajnë vetëm pak orë nga performanca e mbrëmjes së sotme në mes të Tiranës, përballë një publiku të shumtë në numër, të cilët mezi e kanë pritur këtë ditë.

Artisti i cili ka mbërritur në kryeqytet rreth dy ditë më parë, ka zgjedhur të vizitojë qytetin e Durrësit, ku publikoi dhe një foto të tijën në qytetin bregdetar.

Mirëpo përveç kësaj, Ricky nuk la pa theksuar faktin se Shqipëria është një vend shumë mikpritës dhe këtë gjë ai ia bëri të ditur dhe 18 milionë ndjekësve të tij në Instagram, ku kishte publikuar një status ku thuhej:

“Një ndër gjërat më fantastike që shikoni kur udhëtoni në ‘tokën e shqiponjave’, nga kryeqyteti, tek malet apo tek historiku i qyteteve, ju do të mirëpriteni nga vendasit. Shqipëria është një nga shtetet më mikpritës që do të vizitoni ndonjëherë”– thuhej në postim krahas të cilën këngëtari e pohoi plotësisht duke shkruar: ‘Fakte’.