PSG pret ofertë të ulët dhe fyese nga Real Madridi për Mbappen

Ultimatumi që presidenti i Paris Saint-Germainit, Nasser Al Khelaifi, i vendosi Kylian Mbapps në fillim të muajit – të rinovojë kontratën ose të largohet këtë verë – nuk duket se ka sjellë një reagim nga kapiteni i Francës.

E ardhmja e yllit francez vazhdon të jetë e paqartë. Ai ka vendosur të mos e rinovojë kontratën e tij, e cila skadon në verën e vitit të ardhshëm.

Në anën tjetër, PSG-ja synon që ta shesë këtë verë Mbappen, për të mos e humbur falas vitin e ardhshëm.

24-vjeçari refuzoi një ofertë nga klubi saudit, Al-Hilal, teksa dëshira e tij mbetet që të transferohet te Real Madridi, si futbollist i lirë në verën e ardhshme.

“RMC Sport” ka raportuar se PSG-ja pret një ofertë “jashtëzakonisht të ulët dhe fyese” në minutën e fundit nga Real Madrid për ish-sulmuesin e Monacos, një mënyrë për klubin spanjoll për të treguar se bënë një përpjekje për ta transferuar sulmuesin, por që drejtuesit e kampionëve të Ligue 1 e bllokuan.

Mbetet të shihet në vazhdim nëse “Los Blancos” do të jenë të gatshëm të ofrojnë më shumë para për transferimin e Mbappes, apo përfundimisht ai do të mbetet në “Parc des Princes”, pavarësisht prishjes së raporteve tashmë më krerët e klubit parisien.