Chelsea mbetet një nga klubet më aktive në merkato. Pasi larguan me sukses nga organika shumë futbollistë që nuk bënin pjesë në planet e trajnerit Mauricio Pochetino, “Blutë e Londrës” janë rikthyer të mendojnë për merkaton në hyrje. Pas afrimeve të Christopher Nkunku dhe Nicolas Jackson, drejtuesit e Chelseat po punojnë për të siguruar shërbimet e Moices Caicedo.
Ky i fundit aktivizohet me Brighton dhe konsiderohet si një nga lojtarët më të çmuar për trajnerin Roberto De Zerbi. Megjithatë, “pulëbardhat” do ta kenë të vështirë ta mbajnë në skuadër për sezonin e ardhshëm pasi për mesfushorin ka shumë “klientë”.
Për të fituar garën, Chelsea është gati të bëjë edhe një tjetër çmenduri në planin financiar. Kështu, pasi shpenzuan 120 milionë euro në janar për Enzo Fernandez, “Blutë e Londrës” përgatisin një tjetër 100 milionësh, sërish për repartin e mesfushës.
Sipas “Football London”, shumë shpejt pritet që në zyrat e Brighton të mbërrijë oferta 100 milionë euro e Chelseat për 21-vjeçarin dhe që me shumë gjasa do të pranohet me Mauricio Pochetinon që të paktën sa i përket repartit të mesfushës nuk do të ketë “dhimbje koke”.