Osmani: Ose do t’i përfundojmë ndryshimet kushtetuese, ose do t’i ndërpresim negociatat me BE-në, nuk ka alternativë të tretë

Miqtë tanë evropianë janë këtu për të na inkurajuar, për të na mbështetur. Ata mendojnë mirë për ne dhe na pranojnë ashtu siç jemi për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Këtë e theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili dje priti ministrat e Punëve të Jashtme të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë, Aleksandar Shallenberg, Jan Lipavski dhe Miroslav Vlahovski informon Tetovasot.

“Vizita e të ftuarve të rangut të lartë me mandatin e Bashkimit Evropian synon, për mendimin tim, që së pari të them se Bashkimi Evropian qëndron pas kësaj marrëveshjeje, se nuk mund të kishim marrë një marrëveshje më të mirë, se askush nuk mund ta ndryshojë atë marrëveshje, pra që askush nuk mund të ndryshojë kornizën e negociatave në të ardhmen”, ka theksuar Osmani.

Ai siguron se çdo premtim sipas të cilit në të ardhmen dikush do të mund të ndryshojë diçka në kuadrin e negociatave, qoftë edhe një presje, është premtim dhe propagandë e rremë.

“Ne jemi këtu që t’ua heqim ato argumente të rrejshme sepse nuk do të munden”, tha Osmani.

Në kushtet kur mesazhet nga BE-ja janë të qarta, mbështesin vendin që të bëjë hapin e fundit për përparim drejt Bashkimit Evropian, Osmani thotë se nuk e kupton rezistencën e opozitës dhe shtyrjen e ndryshimeve kushtetuese.

“Ka dy opsione. Ose i ndalim negociatat përgjithmonë dhe themi qartë se nuk duam të jemi në Bashkimin Evropian, sepse kushtet nuk mund të ndryshohen, dhe kjo do të thotë tërheqje nga ideja e anëtarësimit në BE, ose përfundimin e ndryshimeve kushtetuese sa më shpejt të mundshme. Nuk kemi alternativë të tretë”, tha Osmani.Tetovasot

Osmani: Ose do t’i përfundojmë ndryshimet kushtetuese, ose do t’i ndërpresim negociatat me BE-në, nuk ka alternativë të tretë