Media turke: Zelensky do të takohet nesër me Erdoganin në Stamboll

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të udhëtojë për në Stamboll ku do të ketë një takim me homologun turk Recep Tayyip Erdogan përpara samitit të NATO-s në Vilnius më 11 dhe 12 korrik. Këtë e ka bërë të ditur gazeta proqeveritare turke Sabah, ndërsa lajmi ende nuk është konfirmuar.

Të dy liderët do të zhvillojnë bisedime dypalëshe dhe ndërdelegacionesh. Ata pritet të diskutojnë mbi zhvillimet e fundit të luftës, si dhe iniciativën e grurit të Detit të Zi. Marrëveshja e grurit, e cila ka rëndësi në luftën kundër urisë në botë, do të përfundojë më 17 korrik.

Zyrtarët rusë kanë lënë të kuptohet se këtë muaj ata mund të bllokojnë zgjatjen e marrëveshjes, duke u ankuar se pjesë të marrëveshjes për të lejuar eksportet ruse kanë mbetur të paplotësuara.