Rafael Leao ndihet i nderuar që iu besua numri 10 në fanellën e Milanit.
Sulmuesi portugez shkëlqeu në sezonet e fundit me “Rossoneri”, me të cilët e vazhdoi kontratën së fundmi duke iu dhënë fund spekulimeve për një largim të mundshëm edhe pse kishte oferta nga klubet e mëdha evropiane
E pasi iu besua ky numër, të cilin në të kaluarën e kanë mbajtur legjendat e klubit Kuqezi, futbollisti i krahut të majtë thotë se do të mundohet ta nderojë atë me paraqitje të mira.
“Është një numër i rëndësishëm, një numër që të jep përgjegjësi. Pas 4 vjetësh në klub, të mund ta përdorësh një numër aq të rëndësishëm… Dua ta jap maksimumin edhe si një formë falënderimi për klubin tim, pasi më jep përgjegjësi ta mbaj atë dhe që të kem përgjegjësi për ta ndihmuar skuadrën time”, deklaroi Leao në një video të publikuar në kanalin e tij në YouTube.
“Bashkëlojtari i preferuar tek Milani? Jam mirë me të gjithë, me Bennacer, Alexis (Saelemaekers), Bakayoko, Maignan, Adli, Ballo-Toure…”, përfundoi përfaqësuesi portugez.
Leao e udhëhoqi Milanin drejt fitimit të Scudettos në sezonin e kaluar dhe drejt gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve në këtë edicion.