Hotelet në ishullin grek të Rodosit po evakuohen, zjarri është ende jashtë kontrollit

Sipas mediave lokale, banorët dhe turistët nga zonat bregdetare të Lardos dhe Kyotari në pjesën lindore të ishullit grek Rodos janë duke u evakuuar me anije të shërbimit bregdetar në rrugë detare dhe me autobusë në tokë, për shkak të zjarrit të madh që ka dalë jashtë kontrollit për të pestën ditë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina.

Përmes numrit 112 për emergjenca sot janë dërguar dy mesazhe për banorët e gjithsej katër fshatrave që të evakuohen si masë paraprake, ndërsa mediat raportojnë se po evakuohen edhe dy hotele.

Sipas televizionit ERT, u shpëtuan me sukses edhe zjarrfikësit e ngecur në një manastir malor, pasi u përpoqën të bindnin murgeshat të evakuoheshin dhe të largoheshin nga manastiri, ato u rrethuan nga flakët dhe u bllokuan në bodrum.

Mediat lokale nga Rodosi komentuan se pjesa lindore e ishullit është e ndarë në gjysmë, pasi rrugët janë të mbyllura.

Gjithashtu, për shkak të zjarrit që ndodhet pranë një nënstacioni, operatori grek i shpërndarjes së energjisë elektrike njoftoi se do të ketë ndërprerje të alternuara parandaluese të energjisë elektrike për një orë në pjesë të ndryshme të ishullit për të siguruar funksionimin normal të sistemit elektroenergjetik dhe u bëri thirrje banorëve të ishullit që të kufizojnë konsumin e panevojshëm të energjisë elektrike.

Zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës të Greqisë, Yannis Artopios, bëri të ditur se pika e nxehtë është aktive në tre zona, ku kanë ndërhyrë 173 zjarrfikës me dhjetë ekipe këmbësorie, 35 automjete, pesë helikopterë, tre avionë, si dhe ekipi i këmbësorisë prej 31 zjarrfikësve me pesë automjete nga Sllovakia.

Hotelet në ishullin grek të Rodosit po evakuohen, zjarri është ende jashtë kontrollit