Kombinimi i dy filmave “Barbie” dhe “Oppenheimer” arriti të rikthejë shikuesit në sallat e kinemave në numra rekord, falë edhe një fushate në mediat sociale. U tejkaluan të gjitha parashikimet duke i dhënë edhe një shkëndijë shprese këtij sektori të industrisë së argëtimit që kishte mbetur pas rishtazi, ndërkohë që janë hedhur në grevë punonjësit e Hollivudit.
Fenomeni, që mori emrin “Barbenheimer”, u shndërrua në ngjarjen e vitit për industrinë e filmave. Kombinimi i satirës së Greta Gerwig me kukullën e mirënjohur Barbie dhe i filmit tre orësh për Robert Oppenheimer-in, të ashtuquajturin babain e bombës bërthamore, ngjalli interesin e shikuesve gjatë fundjavës.
Vendin e parë e zuri filmi “Barbie” i kompanisë Warner Bros, duke arritur të shesë bileta me vlerë 155 milionë dollarë në kinematë në Amerikën e Veriut dhe duke ia kaluar edhe filmit “The Super Mario Bros. Movie” dhe duke vendosur rekord të ri për filmat e drejtuar nga një grua regjizore.
Filmi “Oppenheimer” i kompanisë Universal gjithashtu i tejkaloi pritshmëritë, duke shitur bileta me vlerë 80.5 milionë dollarë, dhe duke u shndërruar kështu në filmin e dytë më të mirë të regjizorit Nolan, pas filmit “Batman”.
“Mendoj se arritën ta shndërrojnë në një fenomen kulturor. Janë dy filma shumë të ndryshëm që u reklamuan jashtëzakonisht mirë. ‘Barbie’ është më komerciali nga të dy. Por mendoj se realizuan një fushatë nga ndjekësit që morën konceptin e Barbenheimer-it dhe e vazhduan. Mendoj se është një ide marketingu e shkëlqyer për Hollivudin. Mendoj se kjo i bëri të dy filmat shumë të suksesshëm dhe një pikë referimi kulturor”, thotë eksperti i filmave Niall Browne.
Ideja e emërtimit të fenomenit “Barbenheimer”, nëpërmjet kombinimit të emrave të dy filmave, mund të ketë filluar si një konkurim dashamirës mes dy pikëpamjeve të kundërta estetike, por që rezultoi me përfitim për të dyja palët.
“Është një dyshe perfekte. Mund ta filloni ditën me ‘Barbie’-n, pastaj të kaloni direkt tek ‘Oppenheimer’ dhe pastaj me një sekuencë përmbyllëse për ‘Barbie’-n”, thotë aktorja Margot Robbie.
“Sugjeroj ‘Barbie’-n së pari, ‘Oppenheimer’-in për drekë dhe në fund prapë Barbie-n”, thotë aktori Ryan Gosling.
Shitjet jashtë Amerikës arritën shifra edhe më të mëdha dhe madje në Indi filmi “Oppenheimer” ia kaloi filmit “Barbie”.
Të dy filmat u pritën mirë nga kritikët, me vlerësime nga ekspertët në rrjetin Rotten Tomatoes në kuota prej 90% për filmin “Barbie” dhe 94% për filmin “Oppenheimer”, si dhe një vlerësim të nivelit “A” nga audiencat në CinemaScore.
Mediat sociale u përfshinë nga reagime të shumta të përdoruesve, reagime të cilat nuk mund arrihen nga asnjë buxhet marketingu. Ekspertët thonë se meritat kryesore për komercializimin i shkojnë filmit “Barbie”, që madje ndihmoi edhe filmin tjetër.
“Një dramë tre-orëshe për një fizikant bërthamor nuk është argëtimi i preferuar për të premten apo të shtunën mbrëma. Ishin qartësisht ngjyrat dhe muzika për Barbie-n që shërbyen për marketingun dhe mendoj se Barbenheimer ndihmoi shanset për Oppenheimer-in”, thotë zoti Browne.
I gjithë ky sukses u arrit ndërsa grevat e skenaristëve dhe aktorëve të Hollivudit vazhdojnë dhe studiot e prodhimit të filmave nuk kanë arritur zgjidhje për kontratat e reja të punës. “Barbie” dhe “Oppenheimer” ishin filmat e fundit në kalendarin e vitit 2023 që patën një turne mediatik global. Pa yje që të reklamojnë filmat e tyre, studiot e filmave kanë filluar të shtyjnë datat e premierave për prodhimet e tyre./VOA