Fatmir Besimi me 10 mijë denarë bleu “fletobligacion të qytetarëve”, ftoi edhe të tjerët ta bëjnë të njëjtën

Ministri i Financave, Fatmir Besimi ka njoftuar se ka blerë një “fletobligacion të qytetarëve”, në vlerë prej 10 mijë denarësh, të cilin ia ka dhënë dhuratë bijës së tij, Aurelës, transmeton TV21.

Siç thotë Besimi në shkrimin e tij, me këtë fletobligacion synon të kontribuojë në ardhmërinë më të mirë të Maqedonisë së Veriut.

“Ky investim prej 10,000 denarë pritet të sjellë rendiment dy vite me rradhe nga 500 denarë, me datë 20 korrik në vitin 2024 dhe të njëjtën datë në vitin 2025 kur edhe do të më kthehet vlera e investuar prej 10,000 denarë.

Me këtë investim njëherit do të kontriboj simbolikisht në zhvillim e vendit për projekte zhvillimore që financohen nga buxheti i shtetit në interes të ekonomisë së vendit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Fletobligacioni i qytetarëve është investim edhe për gjeneratat e ardhëshme – prandaj të njëjtin do ja dhuroj Aurelës, vajzës time 14 vjeçare, si investim i parë i saj për një ardhmëri më të mirë të atdheut të saj!”, sqaron mes tjerash Besimi.

Fton edhe qytetarët ta bëjnë të njëjtën.

“Ju ftoj që edhe ju sipas mundësive të bëheni pjesë e këtij procesi të rëndësishëm zhvillimor të vendit i cili njëherit ju ofron edhe mirëqenie personale me investime te sigurta dhe favorshme!”, tha më tej Besimi.

Ndërkaq sqarohet edhe për mundësinë e një konflikti të interesi në këtë veprim.

“Për të evituar konflikt eventual interesi për shkak të detyrës publike që kam si ministër i financave dhe vendimmarrjes në emitimin e letrave me vlerë për financim të buxhetit, njoftoj se nuk do marr pjesë me investime tjeta në fletoblagacione të qytetarëve derisa ushtroj këtë detyrë publike. Ju falenderoj për mirëkuptim!”./