Bytyqi në kompaninë Sivus: Tranzicioni në një ekonomi digjitale krijon shanse për sukses dhe punë të paguara mirë për të rinjtë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, ka vizituar kompaninë Sivus, aktiviteti primar i së cilës është zhvillimi i softuerit dhe ofrimi i shërbimeve konsulente, të mbështetura përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve (LMFI).

Në deklaratën e tij për mediat, zëvendëskryeministri Bytyqi tha se ekonomia moderne po kalon një tranzicion drejt një theksimi më të madh te inovacioni mjedisor dhe digjital, gjë që kërkon nga të rinjtë të zhvillojnë aftësi të reja për të përparuar në këtë peizazh në ndryshueshëm.

“Pikërisht një nga kompanitë që ne mbështesim përmes Ligjit për Mbështetjen Financiare të Investimeve është Sivusi, e cila e bën këtë përmes qendrës së vet edukative. Digjitalizimi si proces kryesor i Revolucionit të Katërt Industrial kërkon përllogaritjen e faktorëve krejtësisht të rinj për krijimin dhe zbatimin e suksesshëm të politikave zhvillimore kombëtare që do të synojnë krijimin e mundësive reale për sukses dhe vendeve të punës të paguara mirë për të rinjtë”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi informoi se Sivus është ndihmuar financiarisht përmes Ligjit për Mbështetje Financiare të Investimeve, sepse është kompani multinacionale për zhvillimin e softuerit dhe ofrimin e shërbimeve konsulente.

“Me mbi 650 punonjësit e saj, kompania u shërben mbi 3500 klientëve në mbarë botën. Me Sivusin, Qeveria nënshkroi marrëveshjen për mbështetjen financiare të një projekti investimi për periudhën 2018-2022 për masat Mbështetja e rritjes së investimeve kapitale, rritja e konkurrueshmërisë në treg dhe Pushtimi i tregjeve. “Për investimet mbi 83 milionë denarë kemi paguar ndihmë shtetërore prej 7 milionë e 500 mijë denarë”, tha Bytyqi.

Zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se strategjia e ligjit për mbështetjen financiare është që të identifikojë sektorët që mund të kenë vlerë të shtuar për të qenë më konkurrues jo vetëm në tregun e brendshëm, por edhe në tregjet e jashtme.

“Plani për rritje ekonomike i vendosur në vitin 2017 konfirmon se kjo Qeveri e njeh rrugën e duhur për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Vetëm në Rajonin e Shkupit janë mbështetur 181 kompani, të cilat deri më sot kanë marrë rreth 1 miliard e 200 milionë denarë ndihmë financiare për ciklet e tyre investuese, me çka janë krijuar vende të reja pune për qytetarët tanë”, tha Bytyqi.

Dejan Petreski, shefi për informim në Sivus, falënderoi për ndihmën financiare.

“Faleminderit Qeverisë që njohu kapacitetin e kompanisë sonë dhe përmes këtij projekti financiar i dha ndihmë shtesë për shërbimet që ne ofrojmë për transformimin digjital. “Sivusi sot është partner i dëshmuar dhe i njohur i klientëve tanë dhe punon në domenin e kompanive të mëdha në sektorin e telekomunikacionit, automobilizmit dhe atë bankar”, tha Petreski.

Bytyqi në kompaninë Sivus: Tranzicioni në një ekonomi digjitale krijon shanse për sukses dhe punë të paguara mirë për të rinjtë