Pas tri fitoreve radhazi, Kombëtarja e Zvicrës është ndalur me barazim nga Rumania, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Ndeshja e zhvilluar sonte në “Swissporarena” përfundoi me rezultatin 2:2, shkruan Gazeta Express.
Kjo ndeshje i takoi xhiros së katërt në Grupin I.
Kombëtarja zvicerane ishte duke udhëhequr me dy gola epërsi, por fitoren e lëshoi nga duart në fundin e ndeshjes.
Zeki Amdouni shënoi të dy golat, në minutat 28 dhe 41. Te goli i dytë asistues ishte Xherdan Shaqiri, i cili sonte luajti deri në minutën e parë shtesë (90+1’).
Shaqiri u zëvendësua nga Uran Bislimi, me këtë të fundit që sonte bëri debutimin zyrtar me “Helvetikët”.
Kapiteni Granit Xhaka edhe sonte e luajti tërë takimin.
Ndërkaq, golat për rumunët u shënuan nga Valentin Mihaila, në minutat 89 dhe 90+2.
Zvicra pas këtij barazimi ka 10 pikë dhe prin në grup. Rumania është e dyta me tetë pikë.