Xhaferi: Kuvendi ende nuk e ka marrë nismën për ndryshimet kushtetuese

Në BDI është ngrirë anëtarësimi i Ramiz Merkos dhe më tej institucionet do ta kryejnë punën e tyre – ky është qëndrimi i kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, që e tha në brifing me gazetarë. I pyetur nëse partia do të kërkojë përgjegjësi nga Merko, tha se nuk do ta komentojë funksionin kryetar komune për shkak se ai është pushtet tjetër që buron nga vullneti i qytetarëve.

Partia nuk sugjeron se çfarë do të bëni me vetveten, ky është vendim personal, theksoi Xhaferi. Megjithatë në deklaratën para kamerave, Xhaferi shkurt u përgjigj për vendimin e SHBA-vë, për ta vendosur Merkon në listën e zezë.

“Qëndrimet e përfaqësive diplomatike në vend nuk janë lëndë për vlerësim në Kuvendin e RMV. Mendoj se këtë e kemi debatuar brenda dhe nuk ka nevojë më ndryshe, nuk ka asnjë ndryshim nga qëndrimi im për këtë çështje”, tha Xhaferi.

Në lidhje me ndryshimet kushtetuese, Xhaferi tha se nisma ende nuk është dorëzuar në Kuvend dhe se edhe më tej është në procedurë qeveritare. Megjithatë, madje edhe nëse këto ditë dërgohet në shtëpinë ligjvënëse, nuk do të fillojë menjëherë debati për konfirmimin e nevojës për ndryshime kushtetuese, për shkak se për këtë duhet të kalojnë 30 ditë. Kjo do të thotë se edhe në muajin korrik Kuvendi nuk do të mund të fillojë të punojë në ndryshimet kushtetuese, ndërsa me shumë gjasa deputetët në muajin gusht nuk do të shkojnë në pushim nëse fillon debati.

“Pyetja është kur do të marrim materialet dhe atëherë fillojnë të vijojnë procedurat dhe afatet, nuk varet nga ajo a do të jetë gushti apo korriku. Në fazën e parë, faktikisht nga marrje e deri te seanca duhet të kalojnë minimum 30 ditë, për shkak se nga ato 30 ditë, maksimum 10 ditë duhet të punojë Komisioni që duhet të përfundojë 8 ditë para ditës së paraparë për mbajtjen e seancës dhe kur do të mblidhni ditët, del që nevojiten 30 ditë nga thirrja deri te mbajtja e seancës dhe maksimum 10 ditë zgjat debati në seancë”, tha më tej Xhaferi.

Por, kreu i opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, i cili ndodhet në Bruksel në takim me kryetarin e Partisë Popullore Evropiane, Manfred Veber, tha se nuk do të pranojë marrëveshje nën diktatin bullgar, por nuk dihet nëse e ka fjalën për ndryshimet kushtetuese, sepse ato nuk i përmendi por foli për marrëveshje. Mickoski u ankua gjithashtu se Qeveria ka spiunuar opozitën në Bruksel.

“Qëllimi i tyre i vetëm është të spiunojnë opozitën këtu në Bruksel dhe të kërkojnë nga njerëzit nga Brukseli që të bëjë presion ndaj VMRO-DPMNE-së që të pranojë marrëveshje që as nuk e ka negociuar e as nuk ka marrë pjesë dhe ka paralajmëruar se nuk ka ndërmend ta pranojë. VMRO-DPMNE nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që do të jetë nën diktatin bullgar. Ky është mesazhi themelor dhe thelbësor që kemi përcjellë këtu në Bruksel, do të vazhdojmë ta përcjellim dhe që bazohet në faktet dhe argumentet tona”, vlerëson Mickoski.

Propozim nisma për ndryshimet kushtetuese është ende në procedurë qeveritare, më pas duhet të kalojë në Kuvend për të nisur punën për ndryshimin e aktit më të lartë ligjor.