Kombëtarja e Shqipërisë ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Pasi mposhten Moldavinë tre ditë më parë, të përzgjedhurit e Sylvinhos triumfuan sonte edhe ndaj Ishujve Faroe.
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Torsvollur” përfundoi me rezultatin 1:3.
Pas ndeshjes, Sylvinho e pranoi se ishte e vështirë fitorja.
“Është e vështirë të luash këtu. Topi i gjatë të vendos në vështirësi. Ata kanë lojtarë të gjatë. Me një top të gjatë të hapen probleme dhe krijohen situata të paparashikueshme. Djemtë bënë shumë mirë, treguan shpirt të lartë gare, treguan unitet. Të gjithë lojtarët kanë bërë punë shumë të mirë këto ditë”, tha fillimisht ai për “Supersport”.
Tutje, përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare foli edhe për shanset për t’u kualifikuar në “Euro 2024”. Shqipëria është e dyta në Grupin E.
“Njësoj janë shanset. E rëndësishme ishte të fitonim dy ndeshjet tona. Ka ndodhur përpara dy vitesh, gjatë pandemisë, që Shqipëria fitonte dy ndeshje radhazi. E kam thënë që në fillim që grupi është i vështirë dhe i ekuilibruar. Por, asgjë nuk ndryshon. Jemi të kënaqur për dy fitoret dhe jemi plotësisht në garë për kualifikimin”, deklaroi Sylvinho.