Sveçla për paraburgimin e policëve të kidnapuar nga serbët: Kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka regauar pas vendimit të sotëm qe tre policët e Policisë së Kosovës që u kindpuan nga forcat speciale serbe të dënohen me 30 ditë paraburgim.
Këtë vendim Sveçla e ka cilësuar si të papranueshëm dhe të paprecedentë.
Ai thotë se orkestrimet e Serbisë agresore po i dëshmojnë sulmet e njëpasnjëshme në veri të vendit.
“Në mëngjesin e sotëm bandat kanë sulmuar me shok-bomba stacionet policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, është sulmuar një veturë e Policisë së Kosovës, është sulmuar vetura e Ministrit Elbert Krasniqi që ndodhej në vizitë tek Kryetari Lulzim Hetemi, turma e bandave ka kaluar me lehtësi kordonin e sigurisë dhe ka ndërsyrë objektin e Komunës si dhe janë sulmuar e rrahur brutalisht gazetarë e kameramanë të mediave tona” ka thënë mes të tjerash Sveçla.
Ai thotë se mungesa e reagimeve ndaj këtyre akteve cënon sigurinë e institucioneve tona.
Sveçla shton se Policia e Kosovës nuk do të ndalet, përkundër të gjitha sulmeve.
Ky është reagimi i plotë i tij:
Tre zyrtarët tanë policorë të kidnapuar në territorin tonë nga forcat speciale të Serbisë, vazhdojnë të mbahen në Serbi dhe për më keq, atyre sot i’u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Kjo është e paprecedentë dhe e papranueshme.
Fakti që Serbia agresore nuk do të ndalet me orkestrime të akteve të tilla, e dëshmojnë sulmet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur sot gjatë ditës në veriun e vendit tonë. Në mëngjesin e sotëm bandat kanë sulmuar me shok-bomba stacionet policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, është sulmuar një veturë e Policisë së Kosovës, është sulmuar vetura e Ministrit Elbert Krasniqi që ndodhej në vizitë tek Kryetari Lulzim Hetemi, turma e bandave ka kaluar me lehtësi kordonin e sigurisë dhe ka ndërsyrë objektin e Komunës si dhe janë sulmuar e rrahur brutalisht gazetarë e kameramanë të mediave tona.
Të gjitha këto në më pak se 10 orë, të gjitha këto nga persona të njejtë që pranojnë urdhëra të tillë kriminal nga persona të njohur për autoritetet tona e për publikun. Mungesa e reagimit ndaj këtyre akteve kriminale që cënojnë sigurinë e institucioneve tona, qytetarëve tanë e mediave tona, u jep krahë këtyre bandave që udhëzimet e urdhërat i marin nga Beogradi.
Përkundër të gjitha sulmeve, Policia jonë nuk do të ndalet. Ajo do të vazhdojë angazhimin e saj në çdo cep të Republikës së Kosovës, për të gjithë qytetarët pa dallim e kundër të gjitha bandave e kriminelëve pa dallim.