Grupi mercenar rus Wagner, i udhëhequr nga Yevgeny Prigozhin, pretendon se ka pushtuar objektet ushtarake në qytetin e Rusisë, Rostov-on-Don. Bëhet fjalë për pikën kyçe të ushtrisë ruse të cilin ata thonë se e pushtuan pa asnjë të shtënë me armë dhe thotë se autoblindat e tyre po udhëtojnë drejt Moskës. Ndërkaq presidenti rus Vlladimir Putin e akuzoi Prigozhin, ish krahun e tij të djathtë, për tradhti. Putin në një fjalim drejtuar kombit tha se e ardhmja e Rusisë është rrezikuar, duke i përshkruar veprimet e kryengritësve si “thikë pas shpine”.
“Ata që kanë organizuar një rebelim të armatosur do të mbajnë përgjegjësi. Atyre që janë përfshirë në të, ju bëj thirrje që të ndalojnë veprimet e tyre kriminale. Të gjithë ata që shkuan në rrugën e tradhtisë do të ndëshkohen dhe do të mbajnë përgjegjësi. Forcave të armatosura u janë dhënë urdhrat e nevojshëm. Ajo që ne po përballemi tani është tradhti. Interesat personale kanë çuar në tradhtinë e vendit tonë dhe kauzës që forcat tona të armatosura po luftojnë,” deklaroi Vlladimir Putin, President i Rusisë.
Udhëheqësi i grupit mercenar rus, Wagner, Yevgeny Prigozhin, ndërkaq është zotuar se do t’i provojë të gjitha mënyrat për të rrëzuar udhëheqësinë ushtarake të Rusisë. Prigozhin ka thënë se do të marshojë në Moskë, nëse krerët më të lartë ushtarakë nuk takohen me të. Ai iu kundërpërgjigj Putinit duke thënë se trupat e tij nuk po kryejnë tradhti, por janë “patriotë” që po luftojnë për të ardhmen e tokës amë. Prigozhin e ka akuzuar ushtrinë ruse se ka nisur sulme vdekjeprurëse ndaj forcave të tij në Ukrainë, ku trupat e Wagnerit luftojnë përkrah ushtrisë ruse.
“Të gjithë prej neve jemi të gatshëm të vdesim. Të gjithë 25.000 mijë pjesëtarët dhe më pas 25.000 të tjerë. E keqja në lidershipin ushtarak rus duhet ndaluar. Ne do te marshojmë për drejtësinë. Ata që do të ndëshkohen do të jenë personat që vranë shokët tanë, dhe që çuan dëm jetët e dhjetëra mijëra ushtarëve rusë në luftën e Ukrainës,” deklaroi Yevgeny Prigozhin, Udhëheqësi i grupit mercenar rus, Wagner.
Edhe komuniteti ndërkombëtar ka nisur të reagojë për këto zhvillime. Disa shtete në kufi me Rusinë janë duke e rritur sigurinë, derisa NATO-ja ka thënë se është duke e vëzhguar situatën në vazhdimësi. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se secili që zgjedh “rrugën e djallit, e shkatërron vetveten”, dhe se “dobësia e Rusisë është e qartë”.