Rebelimi i Wagnerit nuk do të ndikojë në ofensivën ushtarake të Rusisë në Ukrainë, thotë sekretari i shtypit i Kremlinit.
Dmitry Peskov thotë se “nuk vjen në shprehje” që rebelimi i grupit mercenar do të ndikonte në fushatën e Rusisë kundër Kievit, shkruan BBC, raporton Gazeta Express.
Kreu i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, më herët pohoi se 25,000 luftëtarë të tij ishin gati të sfidonin Presidentin Putin dhe formacionet e njerëzve të tij po shkonin drejt Moskës pasi kalonin kufirin nga Ukraina. Ata ndaluan përparimin e tyre dhe shumë janë parë duke lënë pozicionet e tyre.
Luftëtarët Wagner kanë qenë të rëndësishëm gjatë pushtimit rus të Ukrainës dhe Peskov thotë se mercenarët që dëshirojnë të nënshkruajnë një kontratë me Ministrinë ruse të Mbrojtjes mund ta bëjnë dhe luftëtarët që morën pjesë në kryengritjen e sotme nuk do të ndiqen penalisht.