Policia e Kosovës arrestoi të dyshuarin për sulm ndaj gazetarëve

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka arrestuar një person të nacionalitetit serb, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve të disa mediumeve. I njëjti, dyshohet se e ka kryer sulmin me 29 maj 2023.

Kjo është konfirmuar nga Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar i cili me datë 29 maj 2023 në Leposaviq, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve.” – thuhet në njoftimin e policisë.

I dyshuari, sot është shoqëruar në stacionin policor, ku edhe është intervistuar.

“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar (mashkull serb), i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Leposaviq dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.” – bëhet e ditur.

Vlen të theksohet, se edhe sot nëntë gazetarë janë sulmuar në veri të vendit, ku disa prej tyre kanë kërkuar edhe tretman mjekësor.

Ndërkohë, ministri Sveçla ka bërë një reagim para pak minutash, duke thënë se i arrestuari është Nemanja Vllaskoviq, derisa e ka publikuar edhe fotografinë e tij.

“Një nga udhëheqësit e grupit që ka sulmuar gazetarët e mediumit Kallxo në Leposaviq me datë 29 maj, sapo është arrestuar. Nemanja Vllaskovic do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë.” – ka thënë ai.

 

https://www.youtube.com/watch?v=t__-Hyg8Yek