Pasi një fans goditi Bebe Rexhën në fytyrë me celular gjatë një koncerti në New York, a duhet të mendojë industria e muzikës ndalimin e pajisjeve mobile në koncerte?
Për vite të tëra, yjet e turneut si: Bob Dylan, Jack White dhe Dave Chappelle kanë thënë se regjistrimi i videove në telefon ia prish përvojën e performancës live – dhe kjo ishte përpara se sulmi me celular në ajër të bëhej viral në rrjetet sociale. Por, ekspertët thonë se ndryshimi nuk do të ndodhë menjëherë, shkruan Billboard.
Ndërsa të famshëm dhe muzikantë duke përfshirë: Demi Lovato, John Stamos, Hayley Kiyoko dhe Lauren Jauregui shprehën të gjithë shqetësimin për Bebe Rexhën pasi ajo u dërgua me urgjencë në spital dhe publikoi një fotografi syrit të nxirë pas incidentit, Steven Adelman, nënkryetar i Aleancës për Sigurinë e Ngjarjeve, thotë: “Kjo nuk do të ndryshojë asgjë – ende”.
“Por” shton ai, “është çarja e parë në një mur që përfundimisht do të bjerë”.
Nuk është një debat i ri nëse telefonat celularë prishin përvojën e koncertit, por sulmi i Rexhës është rasti i parë i madh i përdorimit të dhunshëm të pajisjeve teknologjike ndaj një këngëtari.
“Gjithmonë kam menduar, në një moment, do të kishte një ndalim të celularëve sepse shkel një pjesë të rëndësishme të pronës intelektuale për artistin – performancën e tyre live”, thotë Adelman.
Sfida, vazhdon ai, është që fansat të mbajnë bileta celulare në telefon dhe të paguajnë për mallrat dhe koncesionet përmes aplikacioneve të faturimit në internet si Apple Pay: “Ka padyshim interesa konkurruese shumë të forta këtu”.
Incidenti i koncertit të Bebe Rexhës në ‘The Rooftop at Pier 17’ nuk ka gjasa të përhapet, megjithatë: Sulmuesi i dyshuar, Nicolas Malvagna, tha në një kallëzim penal se mendonte se “do të ishte qesharake” të hidhte telefonin.
Ai u dënua më 19 qershor me akuza për ngacmim dhe sulm, të dyja për kundërvajtje. “Çështja kryesore këtu është se ai person u arrestua dhe do të ndiqet penalisht, dhe kjo dërgon një mesazh të madh: ‘Nuk mund ta bësh këtë’. thotë David Yorio, i cili është bashkëpronar i Agjencisë së Sigurisë Citadel, e cila punon me koncerte dhe festivale në New York.