Mickoski fton Kovaçevskin në duel televiziv

VMRO – DPMNE-ja do të vazhdojë të bëjë presion për të siguruar sa më shumë rezoluta për mbrojtjen e gjuhës maqedonase, si ajo në parlamentin gjerman. Këtë e tha sot kryetari i VMRO-DPMNE -së, Hristijan Mickoski në deklaratën për mediat i pyetur se si e komenton rezolutën e miratuar në parlamentin gjerman për mbrojtjen e gjuhës maqedonase.

“Çdo rezolutë e tillë është e mirëseardhur, ne e përqafojmë. Presim rezoluta të tilla nga partnerët tanë strategjikë në periudhën në vijim. Kjo nuk është, do të thoja, as pesë për qind e asaj që ky popull e meriton. Ky popull meriton një shans të drejtë, siç patën të gjithë popujt që u bashkuan në Bashkimin Evropian. Dhe kjo është pa kushte, pa lëshime për identitetin kombëtar që të mund të tregojmë se sa dimë dhe sa vlejmë, të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian në një proces normal negociatash”, theksoi Mickoski i cili mori pjesë në shënimin e 80-vjetorit të pushkatimit të 12 të rinjve në fshatin Vatashë të Kavadarit.

Në kontekst të zhvillimeve aktuale politike në vend lidhur me ndryshimet kushtetuese, Mickoski i bëri thirrje kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçeski që të ballafaqohen në duel televiziv.

“Kovaçevski ka frikë të shkojë në zgjedhje, ka frikë të dalë në duel televiziv. Që të mos ketë e thamë kështu, e thamë ashtu, takim ekipesh, takim liderësh, këtu publikisht para publikut në duel televiziv, ballë për ballë le të themi çfarë të duam dhe ta lëmë popullin të gjykojë”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së.

Në pyetjen e gazetarëve se si e komenton deklaratën e Bujar Osmanit se pas ndryshimeve kushtetuese Bullgaria nuk do të na bllokojë, Mickoski tha se që të komentojë Osmanin duhet të ketë kredibilitet. Mickoski porositi Osmanin që të këshillojë ministrin e ri të jashtëm bullgar të marrë shembull nga kolegu i tij ministër dhe “të vjen te monumenti i 12 të pushkatuarve nga Vatasha në vitin 1943 dhe të përkulet dhe kërkojë falje për këtë dhe për atë çfarë ka bërë okupatori fashist bullgar në Luftën e Dytë Botërore”.

“Atëherë mund të ulemi dhe të mendojmë për çfarëdo faljeje”, theksoi Mickoski, duke sqaruar se një gjë të tillë ka bërë një ministër gjerman, ishte përkulur dhe ka kërkuar falje për atë që kanë bërë fashistët gjermanë .