Magjia tërheqëse e Kostandinopojës

Magjia tërheqëse e Kostandinopojës

MERXHAN JAKUPI

Stambolli (Kostandinopoja), gjatë gjithë epokave, ka qenë kryeqytet, madje i të tri perandorive më të mëdha: Perandorisë Romake, Bizantine dhe, në fund, asaj Osmane. Ky është një qytet antik, i themeluar në vitin 667 para erës sonë. ky qytet perandorak, gjatë gjithë historisë, ka pasur shumë emërtime. Emrin e fundit e mori nga perandori romak, Kostandini i Madh. Para vdekjes, kur perandori Kostandini i Madh, me origjinë ilire, i lindur në NIS (Nish), pasi e bëri krishterimin fe zyrtare, u konvertua dhe ndërtoi kishën e parë, AJA SOFIJA në Kostandinopojë (Stamboll).
Pas formimit të Republikës moderne Turke, më 1923, babai i kombit turk, themeluesi dhe arkitekti i shtetit të Turqisë, Qemal Ataturku, emërtoi këtë qytet ish-perandorak me emrin e ri, STAMBOLL. Sipas disa versioneve, që nga selçukët, emërtimi vjen nga fjala antike (greke) ISTIN-POLIS, apo versioni dytë ISLAM-POLIS.
Përveç monumenteve historike: antike, romake e bizantine, monumentet arkitektonike janë edhe të Perandorisë Osmane, si AJA SOFIJA, TOP KAPIA, XHAMIA E SULLTAN SULEJMANIT dhe shumë monumente të tjera arkitektonike.
Në veprën “Stambolli” të shkrimtarit, romancierit dhe nobelistit turk, ORHAN PAMUK, shkruan se pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ish-kryeqyteti i tre perandorive më të mëdha, nga sekularistët primitivë, fanatikë dhe hibridë, ky kryeqytet perandorak, kozmopolit dhe policentrit, u shndërrua në një qytet provincial. Shumë monumente të qytetërimeve antike, bizantine dhe osmane mbetën në rrënoja, të shkatërruara, të pa rinovuara, duke ndërtuar pallate prej betoni.
Shumë studiues e arkeologë nga perëndimi, në ekspeditat që bënin pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, ishin te frustruar dhe revoltuar nga humbja e imazhit të kryeqytetit ish-perandorak, Kostandinopojë. Këta studiues, arkeologë, po ashtu duke kaluar nëpër Ballkan ishin të frustruar nga rrënojat dhe zhdukja e monumenteve, kulteve të Perandorisë Osmane. Një mik imi zviceran, pas vizitës që i kishte bërë Ballkanit, më tha se kjo hapësirë është më e pasur me vlera e trashëgimi kulturore-historike, monumente universale të qytetërimeve sesa Evropa perëndimore.

SHKATËRRIMI I MONUMETEVE NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Pas luftërave ballkanike të viteve të 90-ta, më kujtohet një vizitë e gazetarit perëndimor në Ballkan. Imazhi i trishtë dhe barbar i urës së rrënuar të Mostarit e kishte shokuar të gjithë Evropën, përveç popujve ballkanas, shkruante autori. Ajo që më brente tek këta popuj, monumentet arkitektonike i kanë ndërtuar okupatorët dhe armiqtë nga jashtë. Në periudhën e viteve 90, serbët dhe kroatët dogjën, shkatërruan dhe fshinë nga faqja e dheut shumë monumente dhe kulte me vlerë të arkitekturës së Perandorisë Osmane, si xhamitë, teqetë, hamamet dhe çarshitë orientale. Pas luftërave, BE-ja ka ndihmuar me fonde dhe donacione, rindërtimin dhe rikonstruktimim e këtyre monumenteve, pasi monumentet, xhamitë, teqetë, hamamet dhe çarshitë, dyqanet, kalldrëmet, janë trashëgimi kulturore universale e kontinentit evropian.
Absurdi, paradoksi dhe ironia, siç rrëfente ky autor, duke vizituar Prishtinën, Tiranën dhe Shkupin, ishte inferioriteti, kompleksi dhe paragjykimet nga disa individë, se monumentet arkitekturale orientale, siç janë xhamitë, hamamet, teqetë dhe çarshitë, nuk janë trashëgimi kulturore universale e kombit shqiptar. Trashëgimia arkitektonike kombëtare qenkan ato të epokës së Mbretërisë Ilire.

NJË EKSPEDITË E SHKURTËR NË STAMBOLL

Napolon Bonaparta, i magjepsur nga vizita që e ka bërë në Kryeqytetin perandorak, ka thënë se Kostandinopoja duhet të jetë kryeqytet i gjithë botës. Në kryeqytetin ish-perandorak, në periudhën e Perandorisë Osmane prej afër 5 shekujsh, shumë personalitete shqiptare kanë bërë histori. Shumica e shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës kanë familje atje. Vizita në Kryeqytetin perandorak, që është larg sa deri në Zagreb, shqiptarët më së shumti kanë bërë vizita te familjarët, si dhe për të bërë tregti. Rrallë ka vizitorë që janë enkas për ekspedita dhe vizita në monumentet historike që kapin qytetërimet e të tri perandorive: atë antike, romake, bizantine dhe osmane.
Vitet e fundit, falë disa agjencive turistike, shumë individë, pos pushimeve verore që bëjnë në Rivierën turke, ata vizitojnë dhe monumentet arkitektonike të këtyre qytetërimeve të mëdha. Para një jave, me disa miq të mi, përmes agjencisë turistike “Agim-turist”, realizuam një ekspeditë turistike tri ditore për të vizituar monumentet historike të këtij kryeqyteti ish-perandorak, Stambollit. Organizimi ishte i shkëlqyer dhe çmimi solid. Të gjithë vizituan monumentet historike, siç janë Top-Kapia, Kapali Çarshia, xhamia Aja Sofja, ajo e Sulltan Sulejmanit dhe shumë monumente të tjera të qytetërimeve osmane dhe bizantine, posaçërisht ishte magjepsëse shëtitja me anije në Grykën e Bosforit. Duke fokusuar shikimet në ato bukuri, pranë kafesë, shikonim sarajet e sulltanëve “Dollma-Bahçen”, që ndanë kufirin mes dy kontinenteve, atë të Evropës dhe Azisë. Në këtë kryeqytet perandorak, kishte vizitorë nga gjithë bota, ku mund të takoheshin popuj të ndryshëm dhe mund të dëgjoheshin gjuhë të ndryshme.