Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar mundësinë e një shkëmbimi mes tre zyrtarëve të kidnapuar të policisë dhe kriminelit serb të arrestuar, Milun Milenkoviq – Llunes.
Ai tha se rastet e arrestimit të “Llunes” dhe kidnapimit të tre policëve nuk krahasohen.
“Është paniku i kriminelëve që është shndërruar në hakmarrje të Serbisë. Nuk krahasohen këto raste dhe ne s’bëjmë pazare. Ne kemi principe dhe vlera. Unë nuk di që Beogradi ka kërkuar ndonjë shkëmbim”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Kurti tha se arrestimi i “Llunes”, i ka hedhur në panik të gjithë kriminelët dhe se sipas tij, “Llune”, s’është bërë kriminel as më 26 as më 29 maj, por ka dosje të trashë të veprave penale.
“Në Kosovë ka sundim ligji, është e vërtetë që arrestimi i “Llunës” i ka hedhur në panik të gjithë kriminelët. Ata s’kanë mundur ta imagjinojnë që dikush si “Llune”, arrestohet. S’kanë besuar se kjo ndodhë ndonjëherë, por kjo ka ndodhur”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.