Kur do të formojë parti “Grupi i Zjarrit”? Mexhiti: Vendosim pas 2 korrikut!

Izet Mexhiti për herë të parë flet hapur për formimin e partisë politike. Në një intervistë për gazetën LAJM, Mexhiti tha se “Grupi i Zjarrit” për çdo ditë e trajton këtë temë dhe sqaroi se pas përfundimit të zgjedhjeve për degët e BDI-së që do të mbahen më 2 korrik, opsioni për themelimin e subjektit të ri, do të shtrohet në tavolinë nga të pakënaqurit e BDI-së dhe do të shqyrtohet seriozisht. Kjo deklaratë e Mexhitit, është kthesë e madhe në funksionimin e “Grupit të Zjarrit” që deri tani ka hedhur poshtë formimin e partisë së re politike, duke insistuar se beteja politike do ta zhvillohet brenda BDI-së.

“Është pyetje që e trajtojmë çdo ditë, edhe brenda strukturës por edhe me qytetarët. Është evidente që u larguam nga pozicionet qeveritare, u “vetëlarguam” nga kryesia qendrore edhepse edhe z.Dehari e sqaroi se është nga një mbledhje dhe jo nga partia. Por, ata u munduan që atë ta paketojnë me PIAR që ne jemi vetëlarguar. Në politikë ka dorëheqje dhe largim, por atë e bën kur vendos vetë dhe jo kur të tjerët ta përcaktojnë. Tashmë edhe kjo mënyrë absurde jostatutare që ndodh edhe me degët, i ngjanë PDSH-së së z.Thaçi që i eliminonte degët brenda natës, por rezultati shihej në zgjedhje. Kjo po i ndodh fatkeqësisht edhe BDI-së. Dëgjoj që ka përçarje në këtë proces, sepse nuk është proces demokratik, ka pakënaqësi, ka fërkime, siç dëgjojmë në disa degë. Por, ne po e presim epilogun e gjithë kësaj, është e vërtetë që po shterren mundësitë që ne të kontribuojmë brenda BDI-së dhe atë që mund ta them, pas 2 korrikut, të gjitha opsionet mund të jenë të hapura. Konform medimit të qytetarit, të përkrahësve tanë, anëtarësisë e cila na ka qëndruar 20 vite pas. Nuk mund ta përcaktoj sot, por pas 2 korrikut të gjitha opsionet do të jenë në tavolinë”, tha Mexhiti. LAJM: Edhe formimi i partisë politike? “Të gjitha opsionet”, tha Mexhiti për gazetën LAJM.