Parlamenti bullgar zgjodhi qeveri të rregullt me 131 vota në një seancë të jashtëzakonshme, pas dy vitesh qeverisje të paqëndrueshme. Ajo do të udhëhiqet nga akademiku Nikollaj Denkov, i cili ishte propozim i partisë “Vazhdojmë me ndryshimet” e ish-kryeministrit Kirill Petkov. Edhe pse ai është një rival i ashpr me Petkovin, partia GERB e Bojko Borisovit gjithashtu hyn në qeveri.
Marrëveshja e koalicionit u arrit përmes një marrëveshjeje të rokadës së postit të kryeministrit. Në nëntë muajt e parë Qeveria do të drejtohet nga Denkov, prioritet i të cilit janë hyrja në zonën Shengen dhe reformat në gjyqësor. Në nëntë muajt e dytë kryeministre duhet të jetë Maria Gabriell nga GERB-SDS, e cila nuk arriti të sigurojë shumicën për formimin e qeverisë në mandatin e parë.

Por çfarë do të thotë zgjedhja e kabinetit Denkov-Gabriel për marrëdhëniet maqedono-bullgare?

Ismet Ramadani, ish-deputet dhe kryetar aktual i organizatës joqeveritare Këshilli Euro-Atlantik i Maqedonisë, pret që qeveria e re bullgare me legjitimitet politik të ndryshojë qasjen ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Pas votimit të qeverisë së re me legjitimitet politik, qasja ndaj Maqedonisë së Veriut pritet të ndryshojë. Së pari, do ti merret pushtetit vendimmarrës presidenti Rumen Radev dhe ndikimi forcave proruse në krijimin e politikave, të cilat i kanë kontrolluar këto vite për disa cikle zgjedhore. Së dyti, këto parti në koalicionin qeveritar janë properëndimore, gjë që lehtëson komunikimin me partnerët tanë si SHBA dhe BE. Sigurisht që ne si shtet fqinj duhet të sillemi sipas standardeve perëndimore dhe të shkojmë drejt integrimeve euroatlantike pa incidente në komunikimin me Bullgarinë”, ka deklaruar Ramadani për Frontline, përcjell Indeks.mk

Muhammed Halili, ish-ambasador dhe kryetar i Këshillit të Ambasadorëve, vlerëson se është e vështirë të parashikohet se cili do të ishte qëndrimi i qeverisë së re bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Ai thekson se që nga viti 1990, Bullgaria ka një konsensus kombëtar për çështjet kombëtare.

“Kjo qeveri mund të ketë qëndrim më të butë ndaj problemit me Maqedoninë e Veriut, por në përgjithësi konsensusi respektohet në Sofje”, thekson Halili.

Dhe në Maqedoninë e Veriut, tonet e ashpra në lidhje me ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kushti i vetëm për Maqedoninë e Veriut për të ecur pa pengesa në rrugën e saj drejt BE-së, filluan të bien.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, pas takimit me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se partia opozitare nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese.

Në anën tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) iu përgjigj “shpejtë” kërkesës së opozitarit, Hristijan Mickoski, për daljen e BDI-së nga Qeveria.

“BDI është e gatshme të mbështesë një qeveri, pa BDI deri në zgjedhje nëse opozita i përkrah ndryshimet kushtetuese dhe ato të hyjnë në fuqi para formimit të asaj qeverie”, tha ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, si reagim ndaj kërkesave të lideri i opozitës, Hristijan Mickoski.