Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Pejës, Gëzim Gashi, ka thënë se vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha në qytet, sidomos në zonën e qendrës.
Në një përgjigje Gashi ka bërë të ditur se aktualisht gjendja është e qetë, ndërsa ekipet e Komunës janë në teren.
“Jemi në teren vazhdimisht, situata me ujë është qetësuar, është në rregull. Por dëmet janë të mëdha, sidomos në qendrën e Pejës”, ka thënë përmes telefonit Gashi.
Ai ka bërë të ditur se janë në kontakt edhe me institucionet qendrore dhe kanë marrë ndihmë prej tyre.
“Po jemi në kontakt, qysh mbrëmë na kanë dalë në ndihmë, por jemi në kontakt të vazhdueshëm”.
Dy persona kanë mbetur të vdekur nga vërshimet në qytetin e Pejës. Viktimat janë një fëmijë 5 vjeçar, si dhe nëna e tij.
Fillimisht, nëna e fëmijës ishte raportuar si personi i zhdukur, përderisa pas gjetjes së saj, vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor.