Çfarë ndodhi me Putinin brenda një dite? Nga hakmarrja e ashpër në falje për Wagnerin

Kryengritja ushtarake e Wagnerit në Rusi ka tërhequr vëmendjen e të gjithë botës dhe reagimi i Vladimir Putin sigurisht që do të ndezë debate të reja. Në vetëm një ditë, ai kaloi nga një “përgjigje e ashpër” në lirimin e pakushtëzuar të rebelëve dhe ndalimin e të gjitha procedurave penale.

Luftëtarët e Vagnerit mbrëmë, me urdhër të Prigozhinit, organizuan një revoltë ushtarake dhe pushtuan qytetin Rastov në Don. Kreu i Wagner njoftoi se ushtria dhe mjetet e blinduara do të lëvizin gjithashtu drejt Moskës.
Pas kaosit që mbretëroi, Presidenti Vladimir Putin bëri një fjalim urgjent për të gjithë qytetarët dhe tha se rebelimi ushtarak i Wagner ishte një tradhti ndaj “shokëve të tij që tani janë në front, një tradhti ndaj shtetit dhe një thikë pas shpine”.

Ai gjithashtu theksoi se të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.

“Ky rebelim i brendshëm është një goditje vdekjeprurëse për ne, përgjigja jonë do të jetë e ashpër, kushdo që vendosi të rebelohet do të ndëshkohet. Ata do t’i përgjigjen shtetit dhe popullit rus. Si president i Rusisë dhe qytetar, do të bëj gjithçka për të mbrojtur vendin, jetën dhe lirinë e njerëzve. Kjo është një thikë në shpinë”, tha Putin në atë kohë.

Megjithatë, në më pak se 24 orë, presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko arriti të binte dakord me shefin e Wagnerit për të ndaluar ushtrinë që ishte afër Moskës.

Jo shumë kohë pas kësaj, Kremlini konfirmoi se Prigozhin do të ishte në gjendje të largohej nga Rusia dhe të shkonte në Bjellorusi pa pengesë, dhe se të gjitha procedimet penale në lidhje me rebelimin ushtarak do të hiqeshin. Garanci për këtë është “fjala e presidentit” të Rusisë.

Në më pak se 24 orë u zhduk premtimi për një “përgjigje të ashpër” dhe ndëshkim të të gjithë përgjegjësve.