Beşiktaş ‘rrëmben’ për herë të dytë me radhë trofeun e ‘International Football Tournament’; ekipi turk mposhti 2 Korrikun pas ekzekutimit të penalltive

Askush nuk mund ta ketë menduar, por sot historia në Turneun Ndërkombëtar të Futbollit u përsërit. Sikurse në vitin 2022, në edicionin e parë, ashtu edhe këtë vit, 2 Korriku e Beşiktaş matën forcat në ndeshjen kryesore të turneut, e për çudi edhe rezultati i kohës së rregullt doli të jetë i njëjtë sikurse ai i finales së vitit të kaluar, duke bërë kështu që për herë të dytë me radhë, fituesi i turneut të vendoset tek pas ekzekutimit të penalltive, ku edhe këtë vit më të saktë u treguan futbollistët e akademisë turke, që bindshëm (4:1) triumfuan dhe morrën me vete trofeun e çmuar të kampionit.

Stadiumi “2 Korriku” sot ishte nikoqir i qindra shikuesve, të cilët në tribunën e re lindore, dhanë mbështetjen e tyre për çunat e i dhanë hijeshi finales së madhe, e cila shumë më mirë nisi për ekipin turk që kaloi në epërsi me İslam Aydın, epërsi kjo e ruajtur mjaft mirë në pjesën e parë.

Por, për ta bërë finalen akoma më të zjarrtë, gjërat morën kthesë tjetër; djemtë e udhëhequr nga Mustafë Pronaj u ringjallën në fraksionin e dytë të lojës, arritën që me Gashijanin të barazojnë rezultatin e me Havollin të kalojnë në epërsi, mirëpo qetësia e ekipit kundërshtar bëri që kjo ndeshje të mos i takojë ekipit nikoqir të turneut, sepse i shërbeu për ta arritur golin e barazimit, që ua siguroi edhe ekzekutimin e penalltive.

Në penallti, të rinjtë e Beşiktaş u treguan më të saktë duke shënuar katër herë nga katër goditje, kurse në anën tjetër te 2 Korriku dështuan dy nga tre futbollistët që morën përsipër ekzekutimin e penalltive, duke bërë që vetëm Gashijan të jetë i saktë nga pika e bardhë. Kështu, me epërsi të lartë pas njëmbëdhjetëmetërshave, ekipi fitues i edicionit të dytë të “International Football Tournament” doli të jetë Beşiktaş.

Pas ndeshjes, u ndanë edhe çmimet për më të mirët e turneut; Emir Yaşar (Beşiktaş J.K.) u shpallë portieri më i mirë i turneut, Donart Mehmeti (KF Llapi) u shpallë golashënuesi më i mirë i turneut dhe Elvir Gashijan (FC 2 Korriku) u shpallë futbollisti më i mirë i turneut. Këto çmime si dhe trofetë për kapitenët e ekipeve që zunë vendin e parë, respektivisht të dytë, i ndanë krerët e klubit FC 2 Korriku dhe ata të akademisë së Beşiktaş J.K., por edhe nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, z. Sabri Turç Angili.

Dhurata simbolike pati edhe për gjyqtarët e ndeshjes, të cilët me shumë korrektësi ndanë drejtësinë në duelin final. Treshja: Tefik Maloku, Shqiprim Gashi dhe Liridon Selmani ishin për çdo lëvdatë, ashtu sikurse gjyqtarët tjerë të këtij organizimi.

Me të gjitha këto ngjarje, u mbyll ky edicion i turneut, i cili dha spektakël, pasqyroi më të mirën e futbollit kosovar dhe atij regjional e tregoi se 2 Korriku është shtëpi e madhe në sportin vendor, shtëpi e kampionëve.