Dy anglezë janë kapur në Dhërmi, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim për shpërndarje të lëndëve narkotike.

Policia thotë se ndaj S.R, 27 vjeç dhe R.D, 33 vjeç, ishin siguruar informacione në rrugë operative se prej disa ditësh pasi kishin shkuar si turistë në Dhërmi, kishin nisur të shpërndanin drogë. Në kërkim është shpallur bashkëpunëtori i tyre, W.K, 32 vjeç.

Gjatë një kontrolli fizik, anglezëve iu gjetën 50 doza kokainë, kanabis dhe ekstazi. Së bashku me to kishin edhe 3 aparate celulare dhe 2 peshore elektronike. Po ashtu janë sekuestruar edhe 3 260 000 lekë, 12 110 euro dhe 2 060 paund.

“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta 3 shtetas që kishin ardhur si turistë nga Anglia në Dhërmi, para disa ditësh, bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik”, njoftoi policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./tvklan.al