Zelensky në Gjermani, për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjendet në Berlin për bisedime me kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin Frank-Walter Steinmeier, raporton BBC.

Është vizita e parë e Zelenskyt në Gjermani që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Vizita ka ardhur një ditë pasi Gjermania njoftoi se do ta furnizojë Ukrainën me armë me vlerë rreth 3 miliardë dollarë.

Më vonë të dielën, Zelensky do të nderohet edhe me çmimin prestigjioz “Charlemagne”.
Çmimi është për të njohur ata që më së miri prmovojnë unitetin evropian.

Fituesit e kaluar ishin Winston Churchill, Papa Françesku dhe Bill Clinton.

“Jam në Berlin tashmë. Armë. Pako e fuqishme. Mbrojtje ajrore. Rindërtim. BE. NATO. Siguri”, ka shkruar Zelensky në Twitter me të arritur në Gjermani.

Të shtunën Gjermania ka njoftuar për një pako me ndihmë ushtarake për Ukrainën, më të madhe që ka ofruar deri më tash.

Ka thënë se do të ketë armatim me vlerë 2.7 miliardë euro, përfshirë edhe tanke Leopard dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Për arsye të sigurisë, Gjermania njoftoi shumë pak detaje për vizitën e Zelenskyt.

Mirëpo, ai është takuar tashmë me presidentin gjerman Steinmeier dhe pritet të takohet me kancelarin Scholz.

Po ashtu mediumet gjermane kanë thënë se ai do të udhëtojë në qytetin perëndimor gjerman Aachen për të marrë pjesë në ceremonin e çmimit “Charlemagne”.