Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, që vizitoi edhe pjesën veriore të Kosovës, bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi.
Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjatë një vizite që realizoi në Kosovë dhe takimeve që pati me udhëheqësit e lartë politikë, Komisionari Varhelyi, tha se nuk erdhi në Prishtinë që t’ua rikujtojë, “por se të gjitha palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet që kanë rënë dakord, përfshirë ato të vitit 2013 e 2015 për themelimin e Asociacionit”.
“Mendojmë që është bërë progres vitin e kaluar. Tash është e domosdoshme që të dyja palët t’i ofrojnë dhe t’i zbatojnë të gjitha obligimet pa vonesa, sepse duhet ta shfrytëzojmë momentin. Të ecim para me zbatimin e marrëveshjes sa më parë dhe të zbatohen pa kushte”, tha Vahelyi, duke i cituar konkluzat e Këshillit Evropian ku thuhet se “të dyja palët nxiten që t’i zbatojnë plotësisht dhe pa kushte të gjitha obligimet për të cilat janë zotuar”.