Të shtëna me armë zjarri në Kavajë, vritet vëllai i Edmond Gosës

Kavaja është tronditur ditën e sotme, nga të shtënat me armë zjarri. Arjan Gosa është qëlluar për vdekje me plumb në kokë, në ambientet e një lokali. Bëhet me dije se shkak i kësaj vrasjeje dyshohet të jetë ajo e hakmarrjes, pasi pak muaj më parë, Armand Gosa mbeti i vrarë pas një konflikti me Altin Rexhën me 29 mars të këtij viti. Viktimë ditën e sotme mbeti Arjan Gosa, pra vëllai i Armand Gosës.

Ndërkohë janë sekuestruar kamerat në zonë. Një person dyshohet se është futur në lokal dhe e ka qëlluar me armë. Persona të tjerë gjithashtu ndodheshin në lokal. Autoritetet po mbledhin provat. Po ashtu janë shoqëruar persona që janë dëshmitarë okularë. Hetimi e lidh këtë vrasje, me ngjarje e ndodhur pak muaj më parë, ku vëllai i tij u vra me shtetasin Altin Rexha.

“Më datë 21.05.2023, rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin A. G. Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit. Paraprakisht nga të dhënat e grumbulluara dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje”, njofton policia.

Kujtojmë që Edmond Gosa ka plagosur me thikë Altin Rexhën, 43 vjeç. Në çastin e konfliktit Rexha ka qenë me djalin e tij. Pas goditjes me thikë, ai ka qëlluar me armë zjarri Gosën. Si pasojë e plagëve të marra të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, kanë ndërruar jetë në spital. Rexha nga Kukësi jetonte me qira në Kavajë bashkë me familjen e tij. Edmond Gosa ishte person shumë problematik në qytet. I dënuar më parë për plagosjen e rëndë të Gent Gjuzit me kazëm, i cili vdiq më pas në spital.