Sot mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri, votohet për 61 kryebashkiakë

Sot mbahen zgjedhjet lokale në Shqipëri, ku pritet të zgjidhen 61 kryebashkiakët e rinj.

Këto zgjedhje u paraprinë nga një situatë e pazakontë politike kur opozita është e përçarë dhe socialistët të vetëm kërkojnë rikonfirmimin në pjesën më të madhe të bashkive.

Nga 61 bashki, tri prej tyre, Vorë, Kamzë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik dhe rezultati pritet të dalë 30 minuta pas përfundimit të votimit të qytetarëve.

Këtë 14 maj janë 3.650.550 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa 122.545 janë votues për herë të parë.
Sipas informacioneve janë 5211 qendra votimi të ngritura në të gjithë vendin dhe 2795 votues në 15 QV të posaçme në institucionet e ekzekutimit të veprave penale.

44 parti janë regjistruar në zgjedhje nga te cilat 38 janë jashtë koalicioneve. Dy koalicione janë në zgjedhje, “Bashkë Fitojmë” me kryetar Ilir Metën dhe “Aleanca Liberale e Djathtë” me kryetar Artur Roshin, raporton TCH.