Shkëndija interesohet për Ismet Munishin

Edhe pse Qatip Osmani me Shkëndijën e përfunduan sezonin në vendin e tretë në Ligën e Parë futbollistike të Maqedonisë së Veiut dhe në sezonin e ri do të luajnë në Ligën e Konferencës të UEFA-së, trajneri i njohur tetovar dha dorëheqje.

Osmani dhe Shkëndija u ndanë menjëherë pas ndeshjes së fundit kampionale.

Siç merr vesh Open-TV nga disa informacione jozyrtare, trajneri i parë që është piketuar nga Shkëndija është Ismet Munishi, ish trajner i Prishtinës dhe disa skuadrave të njohura kosovare. Ky i fundit deklaroi se deri tani nuk është kontaktuar nga kryesia e kuqezinjve tetovarë. Ai thotë se do të ishte privilegj të drejtonte Shkëndijën.
“Nuk di. Nuk më ka kontaktuar askush. Në të kaluarën ka pasur interesim, por kam qenë i zënë me kontratë. Ndihem i privilegjuar, nëse prap përflitet emri im. Shkëndija është klub i madh me tifoz fatastik. Kam shumë respekt”, deklaroi Munishi për mediumin shqiptar.

Gjithashtu në Tetovë po qarkullojnë edhe emrat si: Aleksandar Vasovski, tashmë ish trajneri i Akademija Pandev dhe Ilir Dajës, trajner aktual i Ballkanit të Therrandës.

Në ditët dhe javët në vijim do të mësojmë se për cilin trajner do të përcaktohet kryesia e KF Shkëndija për sezonin e ri 2023/2024.