SHBA: Sanksione të reja nga G7 për të izoluar ekonominë ruse

“G7 do të shpallë sanksione të reja për të izoluar ekonomikisht Rusinë”. Kështu deklaroi një zyrtar amerikan nga Japonia, duke specifikuar se kufiri i çmimit të naftës ruse do të ruhet. Masat do të godasin sektorët e energjisë dhe të mbrojtjes dhe aftësinë e Moskës për të mobilizuar asetet e saj financiare.

Më herët ministria e jashtme ruse kërcënoi se nuk do ta rinovonte marrëveshjen e grurit që skadon me 17 Korrik nëse Perëndimi nuk heq sanksionet ndaj Rusisë. Moska kërkon rilidhjen e bankave me sistemin Swift, zhbllokimin e transportit dhe logjistikës së sigurimeve.

“Pa respektimin e këtyre kërkesave, nuk do të flitet për zgjatje të nismës së Detit të Zi dhe marrëveshja do të ndërpritet pas datës 17 korrik”, tha ministria në një deklaratë.